Irena Hristov, Author at Europe House

“Kush e kodon të ardhmen?”: Diskutim paneli për vajzat dhe gratë në STEM

Si mund t’i kapërcejmë barrierat gjinore në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM) dhe të krijojmë më shumë mundësi për vajzat dhe gratë në botën digjitale? Këto ishin çështjet kryesore të diskutuara në panelin “Kush e kodon të ardhmen? Vajzat në STEM”, i cili u mbajt në kuadër të fushatës dhe karvanit kombëtar “Wear the Change”, të iniciuar nga Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian.

Diskutimi, i mbajtur në kampusin e fakulteteve teknike në Shkup, trajtoi hendekun gjinor, stereotipet dhe pengesat institucionale, si dhe nevojën për qasje të barabartë në arsim, zhvillim profesional dhe pozita udhëheqëse në sektorin e teknologjisë.

Edhe pse gratë përbëjnë rreth 70% të të diplomuarve në shkencat natyrore dhe matematikë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa më shumë se gjysma e studiuesve janë gra, përfaqësimi i tyre në profesionet e teknologjisë mbetet dukshëm më i ulët. Rreth 33% e të diplomuarve në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit janë gra, ndërsa në sektorin e IT-së ato përbëjnë më pak se një të katërtën e fuqisë punëtore. Mungesa e mbështetjes dhe e shembujve të dukshëm të grave të suksesshme, si dhe ndjenja se nuk u përkasin këtyre fushave, vazhdojnë të ndikojnë në zgjedhjet arsimore dhe profesionale të vajzave.

Në panel morën pjesë ambasadori i Suedisë, Ola Sohlström; Marijana Ilovska Zlatanovski, drejtoreshë ekzekutive për inovacion digjital në Intertec.co dhe drejtoreshë për partneritete në Women in Tech North Macedonia; prof. dr. Ana Poceva Panovska nga Fakulteti i Farmacisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKIM); dhe prof. dr. Nevenka Kiteva Rogleva nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FETI) pranë UKIM-it. Diskutimin e moderoi Andrea Ugrinovska nga “Tiiiit! Inc.” – Shkup.

Prof. dr. Ana Poceva Panovska, autore e patentës së parë të UKIM-it në fushën e kimisë medicinale, për molekula hibride me potencial për trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit, foli për transformimin e farmacisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në këtë fushë. “Sot, më shumë se 90% e studentëve në fakultetin tonë janë vajza. Ky ndryshim tregon se çfarë ndodh kur grave u krijohen mundësi për arsimim dhe zhvillim profesional”, theksoi prof. dr. Poceva Panovska.

Marijana Ilovska Zlatanovski, si përfaqësuese e Women in Tech North Macedonia, foli për rritjen e numrit të grave në teknologji, por edhe për sfidat që ato përballen gjatë rrugës drejt pozitave udhëheqëse. Edhe pse përfaqësimi i grave në sektorin e teknologjisë po rritet, ende duhet të kapërcehen barrierat që kufizojnë avancimin e tyre profesional dhe pjesëmarrjen në pozita drejtuese. “Më vjen mirë që sot po punojmë për t’i kapërcyer këto barriera dhe për t’i inkurajuar vajzat të marrin më shumë iniciativa. Padyshim që ka përparim, por ende mbetet shumë punë për t’u bërë”, theksoi ajo.

Ambasadori i Suedisë, Ola Sohlström, theksoi se përparimi i Suedisë në fushën STEM është rezultat i investimeve afatgjata në arsim, kërkim shkencor dhe inovacion.

“Suksesi i Suedisë në STEM nuk ndodhi brenda natës. Ai është rezultat i investimeve ndër breza në arsim, kërkim shkencor, inovacion dhe njerëz. Mesazhi im për vendimmarrësit në Maqedoninë e Veriut është të bëjnë të njëjtën gjë: të investojnë më shumë në arsim, në STEM dhe, mbi të gjitha, te të rinjtë. Besoj se e ardhmja e këtij vendi, e rajonit dhe e botës varet në masë të madhe nga vajza e re që sot është 20 vjeçe, që pyet veten se çfarë e pret dhe vendos se cilën rrugë do të ndjekë”, deklaroi ambasadori suedez Sohlström.

Nga ana e saj, prof. dr. Nevenka Kiteva Rogleva ndau përvojën e saj profesionale në sektorin e energjetikës, një fushë ku tradicionalisht dominojnë burrat. Ajo theksoi se njohuritë, interesi dhe arsimi cilësor kanë më shumë rëndësi sesa stereotipet gjinore, ndërsa mbështetja e familjes dhe e mësimdhënësve mund të jetë vendimtare për t’i inkurajuar vajzat të ndjekin interesat e tyre në shkencë dhe teknologji.

Kur vajzat dhe gratë nuk kanë mundësi të barabarta për ta zhvilluar potencialin e tyre, shoqëria humbet talente, ide, mundësi për inovacion dhe zgjidhje më efikase. Prandaj, kapërcimi i hendekut gjinor në STEM kërkon më shumë se biseda dhe diskutime – nevojiten mbështetje e vazhdueshme, shembuj të dukshëm dhe mundësi të barabarta për arsimim, avancim profesional dhe udhëheqje.

Nga ideja te biznesi i qëndrueshëm – 700 Accelerator Hub hap mundësi të reja për startup-et lokale

Si krijohen mundësi për sipërmarrësit e rinj dhe si shndërrohen idetë e mira në biznese të qëndrueshme? Në kuadër të serisë “Eksplorimi i historive të suksesit lokal” (EU Support – Local Change), të organizuar nga Europe House Tetovë, së bashku me një grup nxënësish të shkollave të mesme vizituam 700 Accelerator Hub, që ndodhet në kampusin e Universitetit të Evropës Juglindore (SEEU) në Tetovë.

I hapur në dhjetor të vitit 2024 në kuadër të SEEU TechPark, 700 Accelerator Hub u themelua me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes projektit “BE-ja për Rritje Ekonomike”, të bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Qeveria e Gjermanisë. Ai përfaqëson një hapësirë të rëndësishme për zhvillimin e startup-eve, sipërmarrjes dhe inovacionit në rajonin e Pollogut, duke lidhur talentet lokale me njohuri, mentorim dhe rrjete biznesi.

Hub-i synon të mbështesë sipërmarrësit e rinj dhe gratë sipërmarrëse, si dhe startup-et në fazat e hershme të zhvillimit, veçanërisht ato që krijojnë zgjidhje teknologjike, digjitale dhe të gjelbra. Programi i tij ofron 12 javë trajnime, mentorim dhe mundësi për rrjetëzim, ndërsa startup-et mund të përfitojnë edhe nga mundësi bashkëinvestimi.

700 Accelerator Hub krijon një mjedis ku idetë shkëmbehen dhe zhvillohen, nxitet bashkëpunimi dhe zgjidhjet inovative marrin mbështetjen e nevojshme për t’u shndërruar në biznese të qëndrueshme.

Në kuadër të serisë EU Support – Local Change, Europe House Tetovë, së bashku me të rinjtë e rajonit, eksploron iniciativa të suksesshme lokale dhe rezultatet konkrete të mbështetjes evropiane të orientuar drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Të rinjtë kërkojnë rol më të madh në vendimmarrjen për klimën në LCOY2026

Të rinjtë nuk duhet vetëm të konsultohen, por duhet të marrin pjesë aktivisht në hartimin e politikave klimatike dhe në vendimet që ndikojnë në të ardhmen e tyre! Ky ishte mesazhi kryesor i Konferencës Rinore për Klimën – LCOY2026, që zgjati dy ditë dhe u mbajt në Europe House Shkup.

E organizuar nga organizata rinore Kolektiv Z, LCOY2026 mblodhi mbi 50 të rinj – studentë, aktivistë dhe liderë të rinj – së bashku me ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile. Qëllimi i përbashkët ishte të shqyrtoheshin mundësitë për pjesëmarrje kuptimplotë, të vazhdueshme dhe të strukturuar të të rinjve në proceset e vendimmarrjes për politikat klimatike.

Përmes diskutimeve, ligjëratave dhe shkëmbimit të mendimeve me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian, UNDP-së,UNICEF-it,Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe organizatës Eko-svest, pjesëmarrësit diskutuan sfidat aktuale klimatike dhe nevojën që të rinjtë të përfshihen në hartimin e zgjidhjeve. Në fokus ishte edhe krijimi i mekanizmave që do të sigurojnë që pjesëmarrja e tyre të mos mbetet vetëm një kontribut i rastësishëm, por të bëhet pjesë përbërëse e proceseve të vendimmarrjes.

Konferenca përfundoi me një Deklaratë të fuqishme të të Rinjve, në të cilën shprehen vendosmëria, pritshmëritë dhe kërkesat e një brezi që nuk pranon që zëri i tij të mbetet në margjina:

“E ardhmja jonë nuk është objekt negociatash. Vendi ynë nuk është në shitje. Zërat tanë do të vazhdojnë të organizohen, të rezistojnë dhe të rindërtojnë një shoqëri të drejtë, të cilën e meritojmë ne dhe brezat e ardhshëm.”

Besojmë se pjesëmarrja aktive e të rinjve në hartimin e politikave klimatike është më shumë se e domosdoshme, pasi janë pikërisht brezat e rinj ata që do të përballen me pasojat e vendimeve të sotme. Pikëpamjet, idetë dhe kërkesat e tyre duhet të dëgjohen dhe të përfshihen në zgjidhjet që do të kontribuojnë në krijimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme.

LCOY (Local Conference of Youth) 2026 është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të konferencave rinore për klimën, që organizohen në vende të ndryshme nën kujdesin e YOUNGO-s – grupi zyrtar i të rinjve brenda Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC). Këto konferenca lidhin aktivistët e rinj dhe studentët me përfaqësues të komunitetit shkencor, institucioneve shtetërore dhe sektorit të biznesit, duke u mundësuar të zgjerojnë njohuritë dhe të forcojnë kapacitetet e tyre, si dhe të përgatisin deklarata kombëtare të të rinjve. Mesazhet dhe rekomandimet e tyre më pas përfshihen në proceset dhe negociatat më të gjera ndërkombëtare për klimën, siç është Konferenca globale e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP).

Nga një histori e suksesshme vere te ide të reja: Mbështetja e BE-së nxit zhvillimin lokal

Si kontribuon mbështetja evropiane në zhvillimin e bizneseve lokale? Përgjigjen e kërkuam në kantinën e verës Dane Hermes (Dane Hermes Wine Estate) në Negotinë, në zemër të rajonit të verërave të Tikveshit, të cilën e vizituam së bashku me nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike “Jovçe Tesliçkov” – Veles.

Gjatë kësaj vizite edukative, të organizuar nga Europe House Veles, pronari i kantinës, Dane Jovanov, i njohu nxënësit me procesin e prodhimit të verës dhe mënyrën se si funksionon kantina.

Kjo kantinë familjare është ndër bizneset lokale që kanë përfituar mbështetje të drejtpërdrejtë përmes Programit IPARD 2021–2027, “Mundësi evropiane për bujqësinë dhe zhvillimin rural të Maqedonisë”, i cili u mundëson prodhuesve bujqësorë dhe ndërmarrjeve të investojnë në modernizim, përmirësimin e prodhimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të tyre.

Vizita u dha nxënësve mundësinë të shihnin nga afër se si funksionon një biznes familjar dhe si mund të kontribuojë mbështetja e BE-së në zhvillimin e tij. Por përvoja mësimore nuk përfundoi këtu.

Të ndarë në ekipe, nxënësit u sfiduan të mendonin si sipërmarrës të vërtetë: të krijonin një produkt të ri joalkoolik me bazë rrushin, duke zhvilluar konceptin, brendin dhe strategjinë e tyre për prezantimin dhe shitjen e tij në treg.

Rezultati? Tri ide kreative: peeling trupi me bazë rrushin, karamele gome me rrush dhe çipsa rrushi. Ato treguan se një produkt tradicional bujqësor mund të marrë vlerë dhe përdorim të ri kur ndërthuren njohuritë, kreativiteti dhe fryma sipërmarrëse.

Kjo vizitë tregoi se mbështetja e BE-së për zhvillimin lokal nuk kufizohet vetëm te modernizimi i prodhimit dhe investimet e reja. Ajo ndihmon edhe në lidhjen e arsimit me sektorin e biznesit, duke u dhënë të rinjve mundësinë të mësojnë nga përvoja e prodhuesve lokalë, të zhvillojnë mendimin sipërmarrës dhe t’i shndërrojnë idetë e tyre në produkte të reja potenciale.

Lajm i vërtetë apo i rremë? Europe House fton të rinjtë të provojnë lojën “Escape Fake”

A mund ta dalloni çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme në internet? “Escape Fake”, një lojë interaktive me realitet të shtuar, përmes së cilës të rinjtë mësojnë të identifikojnë lajmet e rreme, fotografitë e manipuluara dhe dezinformatat, tani është në dispozicion edhe në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Loja është falas, mund të luhet në telefona celularë dhe tabletë, ndërsa përveç këtyre dy gjuhëve, është e disponueshme edhe në tetë gjuhë të tjera evropiane.

Në një kohë kur dezinformatat dhe përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar, Europe House i fton të rinjtë t’i testojnë aftësitë e tyre të të menduarit kritik përmes lojës. Në vend të ligjëratave tradicionale, “Escape Fake” ofron një përvojë interaktive, ku lojtarët hulumtojnë informacione të dyshimta, zgjidhin enigma dhe zbulojnë se si përmbajtjet digjitale mund të manipulohen për të ndikuar në qëndrimet dhe vendimet tona.

Në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik 2026, nga 26 deri më 30 tetor, Europe House organizon punëtori interaktive për nxënësit e shkollave të mesme, ku ata kanë mundësi ta provojnë lojën dhe përmes shembujve praktikë të mësojnë se si t’i identifikojnë dezinformatat.

E zhvilluar në Bashkimin Evropian me mbështetjen e programit Evropa Kreative, “Escape Fake” i udhëheq lojtarët në një udhëtim interaktiv në botën e dezinformatave. Me ndihmën e Hanës, një hakere etike dhe historiane, lojtarët eksplorojnë dy misione. Në “Muzeun e Dezinformatave”, ata zbulojnë falsifikime historike, fotografi të manipuluara dhe përmbajtje “deepfake”, ndërsa në “Situata në Autobus” hetojnë një histori të rreme që është përhapur në internet, verifikojnë burimet dhe mësojnë të identifikojnë mashtrimet përmes metodës “phishing”, profilet e dyshimta në internet dhe manipulimet digjitale.

Në kuadër të punëtorive, nxënësit marrin pjesë edhe në diskutime dhe ushtrime praktike, përmes të cilave e lidhin përvojën nga loja me situatat e përditshme në rrjetet sociale. Qëllimi është që të rinjtë të inkurajohen t’i vënë në dyshim informacionet që shohin në internet, t’i verifikojnë burimet përpara se të shpërndajnë përmbajtje dhe të zhvillojnë aftësi për të marrë vendime të informuara në botën digjitale.

Përmes kësaj nisme, Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian synojnë të tregojnë se edukimi mediatik mund të jetë interesant, interaktiv dhe i qasshëm për të gjithë. Identifikimi i dezinformatave nuk është vetëm një aftësi e dobishme, por edhe një pjesë e rëndësishme e pjesëmarrjes së përgjegjshme në botën digjitale.

A jeni gati t’i zbuloni lajmet e rreme? Europe House i fton të rinjtë, nxënësit dhe të gjithë të interesuarit ta provojnë “Escape Fake”, t’i testojnë njohuritë e tyre dhe përmes lojës të zbulojnë se si të mbrohen nga dezinformatat dhe manipulimet në internet.

“Escape Fake” është falas dhe e disponueshme për të gjithë të interesuarit. Shkarkoni aplikacionin dhe filloni të luani.

Kafe me ambasadorët në Veles: Digjitalizimi, siguria kibernetike dhe FIMI

Dje, në Europe House Veles u mbajt edicioni i radhës i “Kafe me Ambasadorët”, kushtuar temës “Digjitalizimi, siguria kibernetike dhe FIMI (ndërhyrja dhe manipulimi i informacionit nga aktorë të huaj)”, me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Francës, Sh.T. Christophe Le Rigoleur, dhe Ambasadorit të Italisë, Sh.T. Paolo Palminteri.

Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, mediave, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit, si dhe të rinj dhe profesorë. Në fokus ishin ndikimi i platformave digjitale në hapësirën publike dhe demokraci, pavarësia e mediave, mbrojtja e të drejtave të qytetarëve në internet, si dhe sfidat që lidhen me dezinformimin dhe sigurinë kibernetike.

Diskutimi trajtoi çështjen se kush i përcakton rregullat dhe ndikon në përmbajtjet që shohim, shpërndajmë dhe lexojmë në platforma, si dhe përpjekjet e Evropës për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe vlerat demokratike në mjedisin digjital. U ngritën gjithashtu çështje që lidhen me rregullat evropiane për platformat digjitale, marrëdhënien ndërmjet mbrojtjes së demokracisë dhe lirisë së shprehjes, si dhe mënyrat për të forcuar integritetin gazetaresk në nivel lokal dhe global.

Sulmet kibernetike u trajtuan si sfidë e sigurisë dhe jo vetëm si problem teknik. Vëmendje e veçantë iu kushtua ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. U diskutua se si ndarjet ekzistuese dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura mund të shfrytëzohen për përhapjen e mesazheve që minojnë besimin dhe kontribuojnë në destabilitet. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu se çfarë mund të bëjnë vendet kandidate, edhe para anëtarësimit në BE, për të mbrojtur demokracinë dhe hapësirën e informacionit, si dhe për mbështetjen që mund të ofrojnë shtetet anëtare.

Në përfundim, pjesëmarrësit u ftuan të reflektojnë mbi atë se çfarë mund të bëjnë institucionet lokale, mediat, shkollat, shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit për t’i bërë komunitetet e tyre më rezistente ndaj manipulimeve.

“Kafe me Ambasadorët” është pjesë e aktiviteteve të Europe House, të orientuara drejt krijimit të hapësirës për dialog mbi politikat, përvojat dhe vlerat evropiane dhe rëndësinë e tyre praktike për qytetarët dhe komunitetet lokale në mbarë Maqedoninë e Veriut.

Mundësitë e studimit në BE: Nga bursat te shkëmbimet studentore

Në kuadër të Erasmus Days 2026, të rinjtë patën mundësinë të njihen me mundësitë për të vazhduar studimet në Evropë në panairet Study Opportunities in the EU, të organizuara në Europe House Bitola dhe Europe House Tetovo. Këto aktivitete njëditore i lidhën studentët e ardhshëm me përfaqësues të ambasadave dhe institucioneve arsimore, duke u ofruar informacione praktike për bursat, programet e shkëmbimit studentor dhe skemat e mobilitetit akademik.

Europe House Bitola: Rruga juaj drejt studimeve në BE fillon këtu

Panairi në Europe House Bitola mblodhi përfaqësues të ambasadave të Francës, Austrisë, Gjermanisë, Greqisë dhe Bullgarisë, përfaqësues të programit Erasmus+ dhe institucioneve akademike vendore. Krahas informacioneve për programet e studimit dhe mundësitë e financimit, të rinjtë dëgjuan përvojat e bashkëmoshatarëve që tashmë kanë studiuar jashtë vendit.

Bisedat i ndihmuan pjesëmarrësit të njihen me rrugë të ndryshme akademike dhe të kuptojnë hapat që duhet të ndërmarrin për të studiuar në Evropë. Përtej përfitimeve akademike, studimet jashtë vendit ofrojnë mundësi për të zbuluar kultura të reja, për të krijuar miqësi dhe për të fituar aftësi e përvoja që mbeten gjatë gjithë jetës.

Europe House Tetovo: Hapi i radhës

Në Europe House Tetovo, panairi i afroi mundësitë për studime në Evropë me të rinjtë e rajonit të Pollogut. Përfaqësues të ambasadave të Bullgarisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Suedisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Mobilitetin, prezantuan gamën e gjerë të mundësive për studentët e ardhshëm nga Maqedonia e Veriut.

Aktiviteti i inkurajoi të rinjtë të bëjnë pyetje, të eksplorojnë mundësitë për bursa dhe shkëmbime studentore, si dhe të mendojnë se si studimet jashtë vendit mund të ndikojnë në të ardhmen e tyre akademike dhe personale.

Nga ambiciet akademike te mundësitë konkrete

Panairet i inkurajuan të rinjtë të shohin përtej kufijve dhe të shqyrtojnë mundësitë që ofron studimi në Evropë. Përmes nismave të tilla, rrjeti Europe House i ndihmon ata të informohen më mirë dhe të hedhin hapa konkretë drejt së ardhmes së tyre akademike.

Ndonjëherë, gjithçka fillon me një bisedë që hap dyert drejt mundësive të reja.

“Studentët përcaktojnë agjendën”: Nis seria e dialogëve të ambasadorit të BE-së në UKIM

Sot, ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rokas, u takua me studentët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKIM), në kuadër të edicionit të parë të “Studentët përcaktojnë agjendën”, një seri dialogësh universitarë ku të rinjtë zgjedhin vetë temat për të cilat dëshirojnë të diskutojnë.

E organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Europe House, në partneritet me Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”në Shkup dhe Studentarija, kjo nismë i vendos studentët në qendër të diskutimeve për të ardhmen e tyre. Ajo u krijon hapësirë për të bërë pyetje, për të ndarë përvojat e tyre dhe për të diskutuar drejtpërdrejt me ambasadorin e BE-së për pritshmëritë dhe përparësitë e tyre.

Studentët propozuan dhe përzgjodhën vetë temat e diskutimit, duke e orientuar aktivisht bisedën dhe duke marrë drejtimin e agjendës. Ata ngritën çështje që lidhen me procesin e integrimit evropian të vendit, sundimin e ligjit, mundësitë për të rinjtë dhe rolin e tyre në formësimin e së ardhmes së vendit.

Ambasadori Rokas theksoi rëndësinë e rikthimit të besimit, përkushtimit politik dhe vazhdimit të reformave si hapa kyç për përparimin e vendit në rrugën drejt BE-së. Ai vuri në pah veçanërisht nevojën për forcimin e pavarësisë dhe efektivitetit të institucioneve.

Ai foli gjithashtu për mundësitë që ofron BE-ja, përfshirë programin “Erasmus+”, duke i inkurajuar të rinjtë të fitojnë përvojë ndërkombëtare, ta kthejnë njohurinë e fituar në vendin e tyre dhe të përfshihen më aktivisht në jetën publike. Në këtë mënyrë, ata mund të kontribuojnë në ndryshime pozitive dhe të krijojnë mundësi më të mira për brezat e ardhshëm.

“E shijova vërtet takimin e sotëm me studentët e UKIM-it në Shkup. Ishte freskuese të dëgjoja pyetjet, idetë dhe shqetësimet e tyre, si dhe të merrja pjesë në një shkëmbim kaq të hapur dhe të sinqertë mendimesh. Të rinjtë kanë shumë për të thënë për të ardhmen e tyre dhe ne duhet t’i dëgjojmë. Biseda të tilla na afrojnë më shumë dhe na ndihmojnë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Por nuk bëhet fjalë vetëm për të dëgjuar. Të rinjtë duhet të kenë edhe një zë të vërtetë në vendimmarrjen që ndikon në jetën e tyre dhe në të ardhmen e vendit të tyre”, tha ambasadori i BE-së, Rokas.

Takimi në UKIM shënon të parin në një seri vizitash që ambasadori i BE-së do të zhvillojë në universitetet anembanë vendit, në kuadër të nismës “Studentët përcaktojnë agjendën”. Qëllimi është të dëgjohen drejtpërdrejt mendimet e të rinjve për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe për rolin që dëshirojnë të kenë në formësimin e saj.

Seria organizohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Europe House, në partneritet me universitetet në Maqedoninë e Veriut dhe Studentarija, platforma më e madhe studentore e udhëhequr nga të rinjtë në vend. Gjatë vitit akademik, studentët nga i gjithë vendi do të kenë mundësinë t’i vendosin përparësitë e tyre në agjendën e ambasadorit të BE-së.

“Të korrat pa emrin e saj” në Europe House Strumicë: Diskutim për gratë rurale dhe punën e tyre të padukshme

Mbi 38.000 gra në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara si fermere, por shumë prej tyre nuk kanë qasje të barabartë në siguri financiare, pushim të lehonisë, sigurim shëndetësor dhe mbrojtje sociale. Këto sfida ishin në fokus të diskutimit të djeshëm në panelin “Të korrat pa emrin e saj: Gratë rurale dhe puna e padukshme”, i cili u mbajt në Europe House Strumicë.

Ngjarja u organizua në kuadër të fushatës “Vish ndryshimin” (Wear the Change), të iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, të bashkuara në #TeamEurope, si pjesë e karvanit kombëtar. Diskutimi krijoi hapësirë për të folur mbi pengesat sistemike dhe institucionale, por edhe mbi paragjykimet dhe pabarazitë që ua kufizojnë grave në zonat rurale qasjen në të drejtat e tyre.

Gratë fermere kontribuojnë në prodhimin e ushqimit dhe në ekonominë rurale, ndërsa njëkohësisht shpesh kujdesen edhe për shtëpinë. Megjithatë, puna dhe kontributi i tyre shpesh mbeten jashtë kornizave formale ekonomike dhe institucionale. Veçanërisht shqetësuese është qasja në pronë dhe tokë: në vitin 2021, vetëm 4,1 për qind e grave në zonat rurale figuronin si pronare të pronave, ndërsa në nivel kombëtar vetëm 12 për qind e grave kanë në pronësi tokë.

Në diskutim u trajtuan shkaqet e këtyre pabarazive, përfshirë edhe praktikat që lidhen me trashëgiminë. Edhe pse vajzat kanë të drejtë ligjore për të trashëguar, ato shpesh heqin dorë nga pjesa e tyre në favor të vëllezërve. Në këtë ndikojnë traditat e kahershme dhe pritshmëria se, pas martesës, vajza do t’i “përkasë një familjeje tjetër”.

Në diskutim morën pjesë Veronika Ioana Çolka, zëvendësshefe e misionit të Ambasadës së Rumanisë; Lejla Rajkova, avokuese e të drejtave të grave rurale dhe e bujqësisë lokale; dhe Liljana Jonovski, profesoreshë e asociuar në Fakultetin në Kërçovë dhe eksperte për përfshirjen e grave në jetën publike, me fokus te zonat rurale. Diskutimin e moderoi Andrea Ugrinoska nga “Tiiiiit! Inc.” – Shkup.

Panelistet shqyrtuan sfidat me të cilat përballen gratë që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale, zbatimin e ligjeve dhe mekanizmat e disponueshëm të mbështetjes. U diskutua edhe për përvojën e Rumanisë, si një vend me pjesëmarrje të konsiderueshme të fuqisë punëtore në bujqësi, si dhe për rolin e Bashkimit Evropian në avancimin e të drejtave të grave rurale.

Diskutimi përfshiu edhe pengesat shoqërore dhe kulturore që vazhdojnë të ekzistojnë krahas kornizave ligjore, si dhe mënyrat se si institucionet dhe komunitetet mund të kontribuojnë në krijimin e mundësive të barabarta. Pas panelit, edhe publiku u përfshi në diskutim përmes sesionit me pyetje dhe përgjigje.

Mesazhi kryesor i diskutimit ishte se kontributi i grave fermere duhet të njihet dhe të shoqërohet me të drejta dhe siguri të barabarta. Sigurimi i qasjes në pronë, sigurim shëndetësor e social dhe në të drejtat që lidhen me punën është një hap i rëndësishëm drejt një shoqërie më të drejtë dhe të qëndrueshme.

Përmes karvanit “Vish ndryshimin”, Delegacioni i Bashkimit Evropian, ambasadat e shteteve anëtare të BE-së dhe rrjeti i Europe House vazhdojnë të hapin diskutime publike për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në mbarë vendin.

Subscribe To our newsletter!