Europe House Tetovo Archives - Europe House

Nga ideja te biznesi i qëndrueshëm – 700 Accelerator Hub hap mundësi të reja për startup-et lokale

Si krijohen mundësi për sipërmarrësit e rinj dhe si shndërrohen idetë e mira në biznese të qëndrueshme? Në kuadër të serisë “Eksplorimi i historive të suksesit lokal” (EU Support – Local Change), të organizuar nga Europe House Tetovë, së bashku me një grup nxënësish të shkollave të mesme vizituam 700 Accelerator Hub, që ndodhet në kampusin e Universitetit të Evropës Juglindore (SEEU) në Tetovë.

I hapur në dhjetor të vitit 2024 në kuadër të SEEU TechPark, 700 Accelerator Hub u themelua me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes projektit “BE-ja për Rritje Ekonomike”, të bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Qeveria e Gjermanisë. Ai përfaqëson një hapësirë të rëndësishme për zhvillimin e startup-eve, sipërmarrjes dhe inovacionit në rajonin e Pollogut, duke lidhur talentet lokale me njohuri, mentorim dhe rrjete biznesi.

Hub-i synon të mbështesë sipërmarrësit e rinj dhe gratë sipërmarrëse, si dhe startup-et në fazat e hershme të zhvillimit, veçanërisht ato që krijojnë zgjidhje teknologjike, digjitale dhe të gjelbra. Programi i tij ofron 12 javë trajnime, mentorim dhe mundësi për rrjetëzim, ndërsa startup-et mund të përfitojnë edhe nga mundësi bashkëinvestimi.

700 Accelerator Hub krijon një mjedis ku idetë shkëmbehen dhe zhvillohen, nxitet bashkëpunimi dhe zgjidhjet inovative marrin mbështetjen e nevojshme për t’u shndërruar në biznese të qëndrueshme.

Në kuadër të serisë EU Support – Local Change, Europe House Tetovë, së bashku me të rinjtë e rajonit, eksploron iniciativa të suksesshme lokale dhe rezultatet konkrete të mbështetjes evropiane të orientuar drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Mundësitë e studimit në BE: Nga bursat te shkëmbimet studentore

Në kuadër të Erasmus Days 2026, të rinjtë patën mundësinë të njihen me mundësitë për të vazhduar studimet në Evropë në panairet Study Opportunities in the EU, të organizuara në Europe House Bitola dhe Europe House Tetovo. Këto aktivitete njëditore i lidhën studentët e ardhshëm me përfaqësues të ambasadave dhe institucioneve arsimore, duke u ofruar informacione praktike për bursat, programet e shkëmbimit studentor dhe skemat e mobilitetit akademik.

Europe House Bitola: Rruga juaj drejt studimeve në BE fillon këtu

Panairi në Europe House Bitola mblodhi përfaqësues të ambasadave të Francës, Austrisë, Gjermanisë, Greqisë dhe Bullgarisë, përfaqësues të programit Erasmus+ dhe institucioneve akademike vendore. Krahas informacioneve për programet e studimit dhe mundësitë e financimit, të rinjtë dëgjuan përvojat e bashkëmoshatarëve që tashmë kanë studiuar jashtë vendit.

Bisedat i ndihmuan pjesëmarrësit të njihen me rrugë të ndryshme akademike dhe të kuptojnë hapat që duhet të ndërmarrin për të studiuar në Evropë. Përtej përfitimeve akademike, studimet jashtë vendit ofrojnë mundësi për të zbuluar kultura të reja, për të krijuar miqësi dhe për të fituar aftësi e përvoja që mbeten gjatë gjithë jetës.

Europe House Tetovo: Hapi i radhës

Në Europe House Tetovo, panairi i afroi mundësitë për studime në Evropë me të rinjtë e rajonit të Pollogut. Përfaqësues të ambasadave të Bullgarisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Suedisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Mobilitetin, prezantuan gamën e gjerë të mundësive për studentët e ardhshëm nga Maqedonia e Veriut.

Aktiviteti i inkurajoi të rinjtë të bëjnë pyetje, të eksplorojnë mundësitë për bursa dhe shkëmbime studentore, si dhe të mendojnë se si studimet jashtë vendit mund të ndikojnë në të ardhmen e tyre akademike dhe personale.

Nga ambiciet akademike te mundësitë konkrete

Panairet i inkurajuan të rinjtë të shohin përtej kufijve dhe të shqyrtojnë mundësitë që ofron studimi në Evropë. Përmes nismave të tilla, rrjeti Europe House i ndihmon ata të informohen më mirë dhe të hedhin hapa konkretë drejt së ardhmes së tyre akademike.

Ndonjëherë, gjithçka fillon me një bisedë që hap dyert drejt mundësive të reja.

Nga mbetjet organike te energjia e rinovueshme: Një histori suksesi në nivel lokal me mbështetjen e BE-së

Si mund të shndërrohen mbetjet organike në burim të dobishëm dhe si mund të kontribuojnë praktikat e qëndrueshme në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e komunitetit lokal?

Në kuadër të serisë “Eksplorimi i historive të suksesit në nivel lokal” (EU Support – Local Change), të organizuar nga Europe House Tetovë, së bashku me një grup studentësh të ekonomisë së biznesit dhe teknologjisë ushqimore, vizituam fabrikën Vezë Sharri në Trebosh, në rajonin e Pollogut. Gjatë vizitës patëm mundësinë të njiheshim nga afër me procesin e grumbullimit, përpunimit dhe paketimit të vezëve të freskëta, por ajo që na bëri veçanërisht përshtypje ishte mënyra se si mbetjet organike shfrytëzohen për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Në objektet e Elektro Sharri funksionon një central biogazi që prodhon energji elektrike dhe termike. Si centrali i parë i këtij lloji në vend, i realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ai shfrytëzon nënproduktet shtazore dhe mbetjet biologjike për prodhimin e energjisë elektrike, me kapacitet vjetor prej 8 GWh.

Materiali i mbetur nga procesi përdoret për prodhimin e plehut organik. Në këtë mënyrë, mbetjet shndërrohen në burim të dobishëm, ndërsa proceset e prodhimit lidhen me praktika që mundësojnë shfrytëzim më efikas të lëndëve të para dhe uljen e ndikimit në mjedis.

Shembuj të tillë tregojnë se si zgjidhjet inovative dhe investimet në teknologji të qëndrueshme mund të kontribuojnë në menaxhimin më të përgjegjshëm të burimeve dhe zhvillimin e ekonomisë qarkore. Ato sjellin gjithashtu përfitime konkrete për komunitetin dhe krijojnë mundësi për një zhvillim më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.

Përmes serisë “Eksplorimi i historive të suksesit në nivel lokal”, Europe House Tetovë u mundëson studentëve të njihen me projekte dhe iniciativa lokale në rajonin e Pollogut dhe ta lidhin njohurinë akademike me praktikën. Vizitat nxjerrin në pah se si inovacioni dhe zgjidhjet e qëndrueshme mund të sjellin ndryshime pozitive në nivel lokal, edhe përmes mbështetjes së Bashkimit Evropian.

Healing Hike – Një hap më pranë natyrës dhe trashëgimisë së Malit Sharr

Një ditë në Malin Sharr që ishte shumë më tepër se një shëtitje malore.

Nga Guri i Sidollit, përmes stanëve në Shipkovicë, e deri te Guri i Lopëve, Healing Hike na dha mundësinë të largohemi për pak nga zhurma e qytetit, të ngadalësojmë ritmin dhe të rilidhemi me natyrën, komunitetin lokal dhe trashëgiminë e pasur të Malit Sharr.

Ecja jonë filloi te Guri i Sidollit, ndërsa shtegu vazhdoi drejt stanëve në Shipkovicë. Atje, udhërrëfyesi dhe profesori lokal Nexhbedin Haliti ndau me ne histori dhe informacione interesante për historinë, traditën dhe rëndësinë e stanëve, si dhe për kopshtin botanik.

Më pas, shtegu vazhdoi drejt Gurit të Lopëve, ndërsa çdo hap hapte një pamje të re të malit dhe peizazhit të tij.

Por Healing Hike nuk ishte vetëm për të përshkuar një shteg. Ishte për lidhjen – me natyrën, me historitë lokale dhe me njerëzit përreth nesh. Për ato momente kur ndalemi, shikojmë përreth dhe e përjetojmë një vend përmes të gjitha shtresave të tij – natyrore, kulturore dhe njerëzore.

Pikërisht përmes përvojave të tilla ndërtojmë dhe kultivojmë vlerat që na bashkojnë: bashkësinë, kujdesin për natyrën dhe respektin për trashëgiminë kulturore.

Sepse ndonjëherë, për t’u rilidhur me veten, mjafton të bëjmë disa hapa më pranë natyrës.

Healing Hike u organizua nga Europe House Tetovo, UNSHMT dhe Klubi Alpinistik i Tetovës, me mbështetjen e Komunës së Tetovës.

Kur moda tregon histori: tradita dhe identiteti i Rajonit të Pollogut

Çfarë mund të na tregojë moda për historinë, traditat dhe identitetin e një rajoni? Këto pyetje i eksploruam përmes ekspozitës “Historia e modës së Pollogut”, e prezantuar në Europe House Tetovo.

Përmes historive autentike dhe elementeve të modës nga periudha të ndryshme historike, ekspozita ndjek zhvillimin e modës në Rajonin e Pollogut dhe tregon se si veshjet dhe elementet tradicionale bëhen pjesë e identitetit dhe trashëgimisë kulturore të një komuniteti.

Pas ekspozitës qëndron puna e përkushtuar e të riut Argjend Osmani, iniciativa e të cilit kontribuon në hulumtimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Rajonit të Pollogut. Puna e tij tregon se të rinjtë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në zbulimin e historive lokale dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj.

“Historia e modës së Pollogut” na kujtoi se çdo element tradicional mbart historinë e vet – për kohën, njerëzit dhe vendin nga vjen.

Subscribe To our newsletter!