Wear the Change Archives - Europe House

“Kush e kodon të ardhmen?”: Diskutim paneli për vajzat dhe gratë në STEM

Si mund t’i kapërcejmë barrierat gjinore në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM) dhe të krijojmë më shumë mundësi për vajzat dhe gratë në botën digjitale? Këto ishin çështjet kryesore të diskutuara në panelin “Kush e kodon të ardhmen? Vajzat në STEM”, i cili u mbajt në kuadër të fushatës dhe karvanit kombëtar “Wear the Change”, të iniciuar nga Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian.

Diskutimi, i mbajtur në kampusin e fakulteteve teknike në Shkup, trajtoi hendekun gjinor, stereotipet dhe pengesat institucionale, si dhe nevojën për qasje të barabartë në arsim, zhvillim profesional dhe pozita udhëheqëse në sektorin e teknologjisë.

Edhe pse gratë përbëjnë rreth 70% të të diplomuarve në shkencat natyrore dhe matematikë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa më shumë se gjysma e studiuesve janë gra, përfaqësimi i tyre në profesionet e teknologjisë mbetet dukshëm më i ulët. Rreth 33% e të diplomuarve në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit janë gra, ndërsa në sektorin e IT-së ato përbëjnë më pak se një të katërtën e fuqisë punëtore. Mungesa e mbështetjes dhe e shembujve të dukshëm të grave të suksesshme, si dhe ndjenja se nuk u përkasin këtyre fushave, vazhdojnë të ndikojnë në zgjedhjet arsimore dhe profesionale të vajzave.

Në panel morën pjesë ambasadori i Suedisë, Ola Sohlström; Marijana Ilovska Zlatanovski, drejtoreshë ekzekutive për inovacion digjital në Intertec.co dhe drejtoreshë për partneritete në Women in Tech North Macedonia; prof. dr. Ana Poceva Panovska nga Fakulteti i Farmacisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKIM); dhe prof. dr. Nevenka Kiteva Rogleva nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FETI) pranë UKIM-it. Diskutimin e moderoi Andrea Ugrinovska nga “Tiiiit! Inc.” – Shkup.

Prof. dr. Ana Poceva Panovska, autore e patentës së parë të UKIM-it në fushën e kimisë medicinale, për molekula hibride me potencial për trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit, foli për transformimin e farmacisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në këtë fushë. “Sot, më shumë se 90% e studentëve në fakultetin tonë janë vajza. Ky ndryshim tregon se çfarë ndodh kur grave u krijohen mundësi për arsimim dhe zhvillim profesional”, theksoi prof. dr. Poceva Panovska.

Marijana Ilovska Zlatanovski, si përfaqësuese e Women in Tech North Macedonia, foli për rritjen e numrit të grave në teknologji, por edhe për sfidat që ato përballen gjatë rrugës drejt pozitave udhëheqëse. Edhe pse përfaqësimi i grave në sektorin e teknologjisë po rritet, ende duhet të kapërcehen barrierat që kufizojnë avancimin e tyre profesional dhe pjesëmarrjen në pozita drejtuese. “Më vjen mirë që sot po punojmë për t’i kapërcyer këto barriera dhe për t’i inkurajuar vajzat të marrin më shumë iniciativa. Padyshim që ka përparim, por ende mbetet shumë punë për t’u bërë”, theksoi ajo.

Ambasadori i Suedisë, Ola Sohlström, theksoi se përparimi i Suedisë në fushën STEM është rezultat i investimeve afatgjata në arsim, kërkim shkencor dhe inovacion.

“Suksesi i Suedisë në STEM nuk ndodhi brenda natës. Ai është rezultat i investimeve ndër breza në arsim, kërkim shkencor, inovacion dhe njerëz. Mesazhi im për vendimmarrësit në Maqedoninë e Veriut është të bëjnë të njëjtën gjë: të investojnë më shumë në arsim, në STEM dhe, mbi të gjitha, te të rinjtë. Besoj se e ardhmja e këtij vendi, e rajonit dhe e botës varet në masë të madhe nga vajza e re që sot është 20 vjeçe, që pyet veten se çfarë e pret dhe vendos se cilën rrugë do të ndjekë”, deklaroi ambasadori suedez Sohlström.

Nga ana e saj, prof. dr. Nevenka Kiteva Rogleva ndau përvojën e saj profesionale në sektorin e energjetikës, një fushë ku tradicionalisht dominojnë burrat. Ajo theksoi se njohuritë, interesi dhe arsimi cilësor kanë më shumë rëndësi sesa stereotipet gjinore, ndërsa mbështetja e familjes dhe e mësimdhënësve mund të jetë vendimtare për t’i inkurajuar vajzat të ndjekin interesat e tyre në shkencë dhe teknologji.

Kur vajzat dhe gratë nuk kanë mundësi të barabarta për ta zhvilluar potencialin e tyre, shoqëria humbet talente, ide, mundësi për inovacion dhe zgjidhje më efikase. Prandaj, kapërcimi i hendekut gjinor në STEM kërkon më shumë se biseda dhe diskutime – nevojiten mbështetje e vazhdueshme, shembuj të dukshëm dhe mundësi të barabarta për arsimim, avancim profesional dhe udhëheqje.

“Të korrat pa emrin e saj” në Europe House Strumicë: Diskutim për gratë rurale dhe punën e tyre të padukshme

Mbi 38.000 gra në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara si fermere, por shumë prej tyre nuk kanë qasje të barabartë në siguri financiare, pushim të lehonisë, sigurim shëndetësor dhe mbrojtje sociale. Këto sfida ishin në fokus të diskutimit të djeshëm në panelin “Të korrat pa emrin e saj: Gratë rurale dhe puna e padukshme”, i cili u mbajt në Europe House Strumicë.

Ngjarja u organizua në kuadër të fushatës “Vish ndryshimin” (Wear the Change), të iniciuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, të bashkuara në #TeamEurope, si pjesë e karvanit kombëtar. Diskutimi krijoi hapësirë për të folur mbi pengesat sistemike dhe institucionale, por edhe mbi paragjykimet dhe pabarazitë që ua kufizojnë grave në zonat rurale qasjen në të drejtat e tyre.

Gratë fermere kontribuojnë në prodhimin e ushqimit dhe në ekonominë rurale, ndërsa njëkohësisht shpesh kujdesen edhe për shtëpinë. Megjithatë, puna dhe kontributi i tyre shpesh mbeten jashtë kornizave formale ekonomike dhe institucionale. Veçanërisht shqetësuese është qasja në pronë dhe tokë: në vitin 2021, vetëm 4,1 për qind e grave në zonat rurale figuronin si pronare të pronave, ndërsa në nivel kombëtar vetëm 12 për qind e grave kanë në pronësi tokë.

Në diskutim u trajtuan shkaqet e këtyre pabarazive, përfshirë edhe praktikat që lidhen me trashëgiminë. Edhe pse vajzat kanë të drejtë ligjore për të trashëguar, ato shpesh heqin dorë nga pjesa e tyre në favor të vëllezërve. Në këtë ndikojnë traditat e kahershme dhe pritshmëria se, pas martesës, vajza do t’i “përkasë një familjeje tjetër”.

Në diskutim morën pjesë Veronika Ioana Çolka, zëvendësshefe e misionit të Ambasadës së Rumanisë; Lejla Rajkova, avokuese e të drejtave të grave rurale dhe e bujqësisë lokale; dhe Liljana Jonovski, profesoreshë e asociuar në Fakultetin në Kërçovë dhe eksperte për përfshirjen e grave në jetën publike, me fokus te zonat rurale. Diskutimin e moderoi Andrea Ugrinoska nga “Tiiiiit! Inc.” – Shkup.

Panelistet shqyrtuan sfidat me të cilat përballen gratë që jetojnë dhe punojnë në zonat rurale, zbatimin e ligjeve dhe mekanizmat e disponueshëm të mbështetjes. U diskutua edhe për përvojën e Rumanisë, si një vend me pjesëmarrje të konsiderueshme të fuqisë punëtore në bujqësi, si dhe për rolin e Bashkimit Evropian në avancimin e të drejtave të grave rurale.

Diskutimi përfshiu edhe pengesat shoqërore dhe kulturore që vazhdojnë të ekzistojnë krahas kornizave ligjore, si dhe mënyrat se si institucionet dhe komunitetet mund të kontribuojnë në krijimin e mundësive të barabarta. Pas panelit, edhe publiku u përfshi në diskutim përmes sesionit me pyetje dhe përgjigje.

Mesazhi kryesor i diskutimit ishte se kontributi i grave fermere duhet të njihet dhe të shoqërohet me të drejta dhe siguri të barabarta. Sigurimi i qasjes në pronë, sigurim shëndetësor e social dhe në të drejtat që lidhen me punën është një hap i rëndësishëm drejt një shoqërie më të drejtë dhe të qëndrueshme.

Përmes karvanit “Vish ndryshimin”, Delegacioni i Bashkimit Evropian, ambasadat e shteteve anëtare të BE-së dhe rrjeti i Europe House vazhdojnë të hapin diskutime publike për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në mbarë vendin.

Të barabartë në start, të barabartë në sport: Europe House dhe Women Power Cup në Maratonën e Shkupit

Sporti nuk është vetëm hapësirë për garë, por edhe hapësirë për mundësi të barabarta, vetëbesim dhe gjithëpërfshirje.

Pikërisht me këtë ide, Europe House bashkoi forcat me Women Power Cup dhe iu bashkua edicionit të 22-të të Maratonës Wizz Air të Shkupit, përmes nismës “Vishu me ndryshimin” (“Wear the Change”) – së bashku me gratë dhe vajzat që merren me sport, garojnë, frymëzojnë dhe vazhdimisht i tejkalojnë kufijtë e tyre.

Pjesëmarrja e përbashkët në maratonë ishte pjesë e aktiviteteve me të cilat Europe House shënoi Javën Evropiane të Sportit, e cila filloi më 23 shtator dhe solli një sërë aktivitetesh dhe nismash sportive në mbarë vendin, me mesazhin se sporti është për të gjithë – pavarësisht moshës, gjinisë apo aftësive.

Më shumë se një garë

Për të vrapuar një maratonë nevojiten qëndrueshmëri, disiplinë dhe këmbëngulje. Por të merresh me sport nuk fillon në vijën e startit. Është një mënyrë për të krijuar shprehi të shëndetshme, përkushtim dhe rutinë, si dhe një zgjedhje personale që sporti të bëhet pjesë e përditshmërisë.

Ekipi ynë i Europe House dhe sportistet nga Women Power Cup nga Koçani, përmes pjesëmarrjes së përbashkët në Maratonën e Shkupit, përcollën një mesazh të fuqishëm për gjithëpërfshirje më të madhe dhe barazi gjinore në sport. Donim të inkurajonim sa më shumë vajza dhe gra që ta zbulojnë sportin si hapësirë për zhvillim personal, lidhje me të tjerët dhe arritje të reja.

Women Power Cup solli energjinë e sportit të grave, lëvizjes dhe fuqisë së gruas – në fushën sportive, por edhe në shoqëri. Ndërsa përmes “Wear the Change” – një nismë e Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe rrjetit Europe House – krijohet hapësirë për dialog, ide të reja dhe përparim drejt një barazie më të madhe gjinore.

Përmes sportit drejt barazisë

Në ngjarjen më të madhe sportive në vend, këtë vit morën pjesë një numër rekord prej 15.050 garuesish nga 63 vende, në maratonë, gjysmëmaratonë dhe garën stafetë “EU for Sport”. Nga garuesit që e përfunduan maratonën, 77 ishin gra, krahasuar me 518 burra.

Këto shifra tregojnë se gratë në sport ende përballen me sfida, por edhe se çdo pjesëmarrje kontribuon në rritjen e dukshmërisë dhe krijimin e më shumë mundësive.

Sepse në maratonë, ashtu si në çdo disiplinë tjetër sportive, çdo hap ka rëndësi. Dhe përparimi ndodh atëherë kur vendosim të vazhdojmë të ecim përpara.

Përmes nismës së saj gjithëvjetore “Wear the Change” dhe pjesëmarrjes në Maratonën e Shkupit, Europe House edhe një herë theksoi rëndësinë e të qenit aktivë, mbështetjes së grave në sport dhe krijimit të një hapësire ku të gjithë kanë mundësi të marrin pjesë, të garojnë dhe të përparojnë.

Bëhu pjesë. Vazhdo përpara. Vishu me ndryshimin.

Subscribe To our newsletter!