Europe House Archives - Europe House

Lajm i vërtetë apo i rremë? Europe House fton të rinjtë të provojnë lojën “Escape Fake”

A mund ta dalloni çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme në internet? “Escape Fake”, një lojë interaktive me realitet të shtuar, përmes së cilës të rinjtë mësojnë të identifikojnë lajmet e rreme, fotografitë e manipuluara dhe dezinformatat, tani është në dispozicion edhe në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Loja është falas, mund të luhet në telefona celularë dhe tabletë, ndërsa përveç këtyre dy gjuhëve, është e disponueshme edhe në tetë gjuhë të tjera evropiane.

Në një kohë kur dezinformatat dhe përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar, Europe House i fton të rinjtë t’i testojnë aftësitë e tyre të të menduarit kritik përmes lojës. Në vend të ligjëratave tradicionale, “Escape Fake” ofron një përvojë interaktive, ku lojtarët hulumtojnë informacione të dyshimta, zgjidhin enigma dhe zbulojnë se si përmbajtjet digjitale mund të manipulohen për të ndikuar në qëndrimet dhe vendimet tona.

Në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik 2026, nga 26 deri më 30 tetor, Europe House organizon punëtori interaktive për nxënësit e shkollave të mesme, ku ata kanë mundësi ta provojnë lojën dhe përmes shembujve praktikë të mësojnë se si t’i identifikojnë dezinformatat.

E zhvilluar në Bashkimin Evropian me mbështetjen e programit Evropa Kreative, “Escape Fake” i udhëheq lojtarët në një udhëtim interaktiv në botën e dezinformatave. Me ndihmën e Hanës, një hakere etike dhe historiane, lojtarët eksplorojnë dy misione. Në “Muzeun e Dezinformatave”, ata zbulojnë falsifikime historike, fotografi të manipuluara dhe përmbajtje “deepfake”, ndërsa në “Situata në Autobus” hetojnë një histori të rreme që është përhapur në internet, verifikojnë burimet dhe mësojnë të identifikojnë mashtrimet përmes metodës “phishing”, profilet e dyshimta në internet dhe manipulimet digjitale.

Në kuadër të punëtorive, nxënësit marrin pjesë edhe në diskutime dhe ushtrime praktike, përmes të cilave e lidhin përvojën nga loja me situatat e përditshme në rrjetet sociale. Qëllimi është që të rinjtë të inkurajohen t’i vënë në dyshim informacionet që shohin në internet, t’i verifikojnë burimet përpara se të shpërndajnë përmbajtje dhe të zhvillojnë aftësi për të marrë vendime të informuara në botën digjitale.

Përmes kësaj nisme, Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian synojnë të tregojnë se edukimi mediatik mund të jetë interesant, interaktiv dhe i qasshëm për të gjithë. Identifikimi i dezinformatave nuk është vetëm një aftësi e dobishme, por edhe një pjesë e rëndësishme e pjesëmarrjes së përgjegjshme në botën digjitale.

A jeni gati t’i zbuloni lajmet e rreme? Europe House i fton të rinjtë, nxënësit dhe të gjithë të interesuarit ta provojnë “Escape Fake”, t’i testojnë njohuritë e tyre dhe përmes lojës të zbulojnë se si të mbrohen nga dezinformatat dhe manipulimet në internet.

“Escape Fake” është falas dhe e disponueshme për të gjithë të interesuarit. Shkarkoni aplikacionin dhe filloni të luani.

 

Të rinjtë luajtën në Shkup…

…dhe në Strumicë

E u luajt edhe në Strugë

… edhe në Veles

“Studentët përcaktojnë agjendën”: Nis seria e dialogëve të ambasadorit të BE-së në UKIM

Sot, ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rokas, u takua me studentët e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKIM), në kuadër të edicionit të parë të “Studentët përcaktojnë agjendën”, një seri dialogësh universitarë ku të rinjtë zgjedhin vetë temat për të cilat dëshirojnë të diskutojnë.

E organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Europe House, në partneritet me Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”në Shkup dhe Studentarija, kjo nismë i vendos studentët në qendër të diskutimeve për të ardhmen e tyre. Ajo u krijon hapësirë për të bërë pyetje, për të ndarë përvojat e tyre dhe për të diskutuar drejtpërdrejt me ambasadorin e BE-së për pritshmëritë dhe përparësitë e tyre.

Studentët propozuan dhe përzgjodhën vetë temat e diskutimit, duke e orientuar aktivisht bisedën dhe duke marrë drejtimin e agjendës. Ata ngritën çështje që lidhen me procesin e integrimit evropian të vendit, sundimin e ligjit, mundësitë për të rinjtë dhe rolin e tyre në formësimin e së ardhmes së vendit.

Ambasadori Rokas theksoi rëndësinë e rikthimit të besimit, përkushtimit politik dhe vazhdimit të reformave si hapa kyç për përparimin e vendit në rrugën drejt BE-së. Ai vuri në pah veçanërisht nevojën për forcimin e pavarësisë dhe efektivitetit të institucioneve.

Ai foli gjithashtu për mundësitë që ofron BE-ja, përfshirë programin “Erasmus+”, duke i inkurajuar të rinjtë të fitojnë përvojë ndërkombëtare, ta kthejnë njohurinë e fituar në vendin e tyre dhe të përfshihen më aktivisht në jetën publike. Në këtë mënyrë, ata mund të kontribuojnë në ndryshime pozitive dhe të krijojnë mundësi më të mira për brezat e ardhshëm.

“E shijova vërtet takimin e sotëm me studentët e UKIM-it në Shkup. Ishte freskuese të dëgjoja pyetjet, idetë dhe shqetësimet e tyre, si dhe të merrja pjesë në një shkëmbim kaq të hapur dhe të sinqertë mendimesh. Të rinjtë kanë shumë për të thënë për të ardhmen e tyre dhe ne duhet t’i dëgjojmë. Biseda të tilla na afrojnë më shumë dhe na ndihmojnë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Por nuk bëhet fjalë vetëm për të dëgjuar. Të rinjtë duhet të kenë edhe një zë të vërtetë në vendimmarrjen që ndikon në jetën e tyre dhe në të ardhmen e vendit të tyre”, tha ambasadori i BE-së, Rokas.

Takimi në UKIM shënon të parin në një seri vizitash që ambasadori i BE-së do të zhvillojë në universitetet anembanë vendit, në kuadër të nismës “Studentët përcaktojnë agjendën”. Qëllimi është të dëgjohen drejtpërdrejt mendimet e të rinjve për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe për rolin që dëshirojnë të kenë në formësimin e saj.

Seria organizohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Europe House, në partneritet me universitetet në Maqedoninë e Veriut dhe Studentarija, platforma më e madhe studentore e udhëhequr nga të rinjtë në vend. Gjatë vitit akademik, studentët nga i gjithë vendi do të kenë mundësinë t’i vendosin përparësitë e tyre në agjendën e ambasadorit të BE-së.

Të barabartë në start, të barabartë në sport: Europe House dhe Women Power Cup në Maratonën e Shkupit

Sporti nuk është vetëm hapësirë për garë, por edhe hapësirë për mundësi të barabarta, vetëbesim dhe gjithëpërfshirje.

Pikërisht me këtë ide, Europe House bashkoi forcat me Women Power Cup dhe iu bashkua edicionit të 22-të të Maratonës Wizz Air të Shkupit, përmes nismës “Vishu me ndryshimin” (“Wear the Change”) – së bashku me gratë dhe vajzat që merren me sport, garojnë, frymëzojnë dhe vazhdimisht i tejkalojnë kufijtë e tyre.

Pjesëmarrja e përbashkët në maratonë ishte pjesë e aktiviteteve me të cilat Europe House shënoi Javën Evropiane të Sportit, e cila filloi më 23 shtator dhe solli një sërë aktivitetesh dhe nismash sportive në mbarë vendin, me mesazhin se sporti është për të gjithë – pavarësisht moshës, gjinisë apo aftësive.

Më shumë se një garë

Për të vrapuar një maratonë nevojiten qëndrueshmëri, disiplinë dhe këmbëngulje. Por të merresh me sport nuk fillon në vijën e startit. Është një mënyrë për të krijuar shprehi të shëndetshme, përkushtim dhe rutinë, si dhe një zgjedhje personale që sporti të bëhet pjesë e përditshmërisë.

Ekipi ynë i Europe House dhe sportistet nga Women Power Cup nga Koçani, përmes pjesëmarrjes së përbashkët në Maratonën e Shkupit, përcollën një mesazh të fuqishëm për gjithëpërfshirje më të madhe dhe barazi gjinore në sport. Donim të inkurajonim sa më shumë vajza dhe gra që ta zbulojnë sportin si hapësirë për zhvillim personal, lidhje me të tjerët dhe arritje të reja.

Women Power Cup solli energjinë e sportit të grave, lëvizjes dhe fuqisë së gruas – në fushën sportive, por edhe në shoqëri. Ndërsa përmes “Wear the Change” – një nismë e Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe rrjetit Europe House – krijohet hapësirë për dialog, ide të reja dhe përparim drejt një barazie më të madhe gjinore.

Përmes sportit drejt barazisë

Në ngjarjen më të madhe sportive në vend, këtë vit morën pjesë një numër rekord prej 15.050 garuesish nga 63 vende, në maratonë, gjysmëmaratonë dhe garën stafetë “EU for Sport”. Nga garuesit që e përfunduan maratonën, 77 ishin gra, krahasuar me 518 burra.

Këto shifra tregojnë se gratë në sport ende përballen me sfida, por edhe se çdo pjesëmarrje kontribuon në rritjen e dukshmërisë dhe krijimin e më shumë mundësive.

Sepse në maratonë, ashtu si në çdo disiplinë tjetër sportive, çdo hap ka rëndësi. Dhe përparimi ndodh atëherë kur vendosim të vazhdojmë të ecim përpara.

Përmes nismës së saj gjithëvjetore “Wear the Change” dhe pjesëmarrjes në Maratonën e Shkupit, Europe House edhe një herë theksoi rëndësinë e të qenit aktivë, mbështetjes së grave në sport dhe krijimit të një hapësire ku të gjithë kanë mundësi të marrin pjesë, të garojnë dhe të përparojnë.

Bëhu pjesë. Vazhdo përpara. Vishu me ndryshimin.

Babilonia – Gjenerata e Re 2026: Shpallen fituesit e konkursit për përkthimin më të mirë studentor

Me rastin e Ditës Evropiane të Gjuhëve, dje në Europe House Shkup u nda Çmimi “Babilonia – Gjenerata e Re” për përkthimin më të mirë studentor për vitin 2026. Çmimi organizohet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, në partneritet me Fakultetin e Filologjisë “Blazhe Koneski” – Shkup.

Ceremonia mblodhi një brez të ri përkthyesish të rinj dhe personalitete të shquara nga bota letrare dhe akademike, duke shënuar përmbylljen e konkursit të këtij viti, kushtuar promovimit të përkthimit letrar dhe diversitetit gjuhësor.

Dhe përkthyesja e re më e mirë e vitit 2026 është…

Çmimi i parë iu dha Ivana Jakovovës, për përkthimin nga anglishtja në maqedonisht të tregimit të shkurtër Night in Tunisia nga Neil Jordan. Juria, e përbërë nga përkthyes të afirmuar, profesorë universitarë dhe shkrimtarë, e vlerësoi përkthimin e saj për saktësinë gjuhësore dhe krijimtarinë, si dhe për ruajtjen besnike të shprehjes dhe stilit të autorit.

Çmimin ia dorëzoi ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rokas. Ai përfshin një qëndrim studimor për zhvillimin e mëtejshëm profesional të Ivanës në fushën e përkthimit letrar, si dhe botimin e përkthimit fitues në përmbledhjen vjetore të Fakultetit të Filologjisë “Blazhe Koneski”. Ky vlerësim përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e saj si përkthyese dhe një mundësi për t’i përsosur më tej aftësitë e saj.

Përveç çmimit kryesor, juria ndau edhe dy mirënjohje nderi. Mirënjohja e parë iu dha Marija Nestoroskës, për përkthimin nga italishtja në maqedonisht të tregimit të shkurtër Lo scialle andaluso (Njeriu me syze) nga Elsa Morante. Mirënjohjen ia dorëzoi prof. dr. Vladimir Martinovski, dekan i Fakultetit të Filologjisë “Blazhe Koneski”.

Mirënjohjen e dytë të nderit e ndanë Martin Georgiev dhe Teodor Tasevski, për përkthimet e tyre nga anglishtja në maqedonisht të tregimit të shkurtër Night in Tunisia nga Neil Jordan.

Rezidencë studentore për përkthim letrar në Strugë

Në kuadër të konkursit “Babilonia – Gjenerata e Re”, edhe këtë vit u organizua rezidenca studentore për përkthim letrar, e cila synon avancimin e aftësive përkthyese nën udhëheqjen e mentorëve me përvojë. Nga 23 deri më 25 prill, në Strugë, studentët punuan me Sanja Mihajlovikj Kostadinovska, Eli Pujovska dhe Dusko Krstevski, të cilët, përmes një programi të mirëstrukturuar me punëtori dhe sesione, i ndihmuan të përsosin aspekte të ndryshme të mjeshtërisë së përkthimit.

Rezidenca u ofroi studentëve mundësinë për të zhvilluar aftësitë praktike dhe profesionale jashtë auditorëve universitarë, duke i nxitur të eksplorojnë krijime të reja leksikore, stile rrëfimi dhe kontekste kulturore. Krahas njohurive dhe përvojave të reja, takimet krijuan hapësirë edhe për miqësi të reja dhe mundësi për bashkëpunim në të ardhmen.

Pas përfundimit të rezidencës, pjesëmarrësit morën detyrën të përkthenin një tregim të shkurtër nga njëra prej 24 gjuhëve zyrtare të Bashkimit Evropian, në përputhje me kombinimin e tyre gjuhësor. Tregimi duhej të ishte një vepër që ende nuk ishte përkthyer në gjuhët vendore. Përkthimet e përfunduara u dorëzuan në mënyrë anonime për të konkurruar për Çmimin për Përkthimin më të Mirë Studentor.

Babilonia: Gjuhë të ndryshme, një hapësirë e përbashkët për letërsinë

Konkursi dhe rezidenca studentore “Babilonia – Gjenerata e Re” mbështeten në idetë e bashkëpunimit, ndërveprimit ndërkulturor dhe shkëmbimit letrar. Të frymëzuara nga miti i Kullës së Babilonisë, ku diversiteti gjuhësor paraqitet njëkohësisht si bekim dhe si pengesë për mirëkuptimin, ato theksojnë rolin e përkthimit si urë lidhëse ndërmjet gjuhëve dhe kulturave.

Përmes konkursit, studentët kanë mundësi të përkthejnë vepra letrare që nuk janë përkthyer më parë, duke kontribuar njëkohësisht në ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë gjuhësore. Në këtë mënyrë, “Babilonia” mbështet përkthyesit e rinj, nxit cilësinë e përkthimit letrar dhe krijon hapësirë që letërsia evropiane të arrijë te një rreth më i gjerë lexuesish.

Edicioni i ri i konkursit “Babilonia – Gjenerata e Re” do të hapet për aplikime në fillim të pranverës së vitit 2027, duke vazhduar mbështetjen për përkthyesit e rinj dhe kontributin e tyre në afrimin e gjuhëve dhe kulturave.

RAVEL: Unravel nga Herzel – Një këndvështrim bashkëkohor mbi muzikën e Ravelit në Strugë

Çfarë ndodh kur muzika e Maurice Ravelit shihet përmes këndvështrimit të një artisti të përkushtuar ndaj muzikës elektronike bashkëkohore?

Pikërisht një përvojë të tillë solli Aleksandar Grozdanovski – Herzel, i cili në Parkun e Poezisë në Strugë prezantoi “RAVEL: Unravel” – një performancë muzikore e veçantë që e solli veprën e një prej kompozitorëve më me ndikim të shekullit XX në një kontekst bashkëkohor.

Për më shumë se një shekull, muzika e Ravelit ka kapërcyer kufijtë tradicionalë të muzikës klasike. E njohur për saktësinë, gamën e pasur tingullore dhe idetë e guximshme, vepra e tij vazhdon të frymëzojë muzikantë nga zhanre të ndryshme në mbarë botën. Pikërisht këto veçori shërbyen si pikënisje për qasjen e re të Herzel ndaj muzikës së Ravelit.

“RAVEL: Unravel” nuk ishte as koncert klasik, as set elektronik. Duke ndërthurur kompozimin e Ravelit me produksionin elektronik bashkëkohor, Herzel krijoi një përvojë të re muzikore, duke i ofruar publikut një mënyrë tjetër për ta dëgjuar dhe përjetuar muzikën e Ravelit.

Veprimtaria u organizua në bashkëpunim me Drim Short Film Festival dhe u mbështet nga Instituti Francez në Shkup, Agence Consulaire de France në Manastir dhe Konsullja e Nderit Kaliopa Stilinoviq, si dhe Alliance Française de Bitola.

Performanca është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’ua afruar trashëgiminë kulturore franceze audiencave të reja përmes formave bashkëkohore artistike – duke i dhënë muzikës së krijuar më shumë se një shekull më parë mundësinë të tingëllojë sërish në një mënyrë të freskët dhe të papritur.

Subscribe To our newsletter!