Lajme nga Europe House Strugë Archives - Europe House

Shkëmbim ndërkulturor gjuhësor në Europe House Strugë: Nga zhargoni rinor te miqësitë e reja

Në punëtorinë “Level Up: Intercultural Language Exchange”, të mbajtur në Europe House Strugë, nxënës të shkollave të mesme që ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase dhe shqipe u njohën dhe krijuan lidhje përmes diçkaje që është veçanërisht e tyre – gjuhës së të rinjve.

Në vend të mësimit formal të gjuhës, pjesëmarrësit shkëmbyen zhargon rinor, shprehje të përditshme dhe tema nga kultura pop, përmes aktiviteteve interaktive dhe bisedave joformale.

Nën mentorimin e gjuhëtares dhe mësimdhënëses Selpi Poshka, ata patën mundësinë ta praktikonin gjuhën në një atmosferë të çlirët dhe krijuese, të zbulonin ngjashmëritë dhe dallimet mes përvojave të tyre gjuhësore dhe kulturore, si dhe të njiheshin më mirë përmes diçkaje që i afron.

Nga përkthimi i zhargonit dhe shprehjeve nga hitet e tyre të preferuara muzikore deri te dublimi i videove të njohura në TikTok, të rinjtë nga Struga zbuluan se gjuha është shumë më tepër se fjalë – ajo është një urë e gjallë drejt mirëkuptimit të ndërsjellë, afrimit dhe ndarjes së ideve dhe vlerave. Ata zbuluan gjithashtu se, me mbështetje të ndërsjellë dhe gatishmëri për të mësuar nga njëri-tjetri, barrierat gjuhësore bëhen më të lehta për t’u kapërcyer.

Nisma “Level Up” dëshmon se ndonjëherë mjafton një listë e mirë këngësh ose një temë e përbashkët bisede për të nisur një komunikim të vërtetë dhe për të krijuar miqësi të reja.

Tetori Rozë në Europe House Strugë: Rrëfime personale, mbështetje dhe vetëdije për kancerin e gjirit

Tetori i kushtohet ngritjes së vetëdijes për kancerin e gjirit, si dhe rëndësisë së zbulimit të hershëm dhe parandalimit. Por, tetori na ofron edhe mundësinë të flasim për tema që nuk diskutohen mjaftueshëm shpesh – frikën, pasigurinë, përvojat e trajtimit dhe mbështetjen për të cilën kanë nevojë gratë dhe familjet e tyre.

Pikërisht një bisedë e tillë e hapur dhe e sinqertë u zhvillua në Europe House Struga, në kuadër të aktivitetit “Tetori Rozë”, të organizuar në bashkëpunim me Komunën e Strugës dhe Kryqin e Kuq – Strugë.

Përmes rrëfimeve personale të disa grave të guximshme, të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë për përvojat e ndryshme me sëmundjen dhe sfidat që ajo sjell. Monika Matoska, e cila prej pesë vitesh është #cancerfree, ndau historinë e saj personale – nga përballja me diagnozën dhe procesi i trajtimit, deri te jeta pas tejkalimit të sëmundjes.

Dëgjuam edhe rrëfime personale për humbjen e një personi të dashur, të cilat hapën hapësirë për të folur edhe për dhimbjen dhe pikëllimin që kjo betejë sjell për anëtarët e familjes.

Me psikoterapisten Arta Poshka Qoku biseduam për sfidat psikologjike me të cilat përballen pacientet dhe familjet e tyre. Në fokus ishin frika dhe pasiguria, por edhe rëndësia e mbështetjes psikologjike gjatë trajtimit dhe rikuperimit.

Aktiviteti u pasurua edhe me një ekspozitë tematike nga Flora Shazimani dhe Hristijan Milošeski, të cilët përmes veprave të tyre sollën interpretimin e tyre artistik të sfidave dhe qëndrueshmërisë së grave që janë përballur me kancerin e gjirit.

Biseda ishte e sinqertë dhe emocionale, por mbi të gjitha, një kujtesë e rëndësishme se askush nuk duhet të përballet i vetëm me një përvojë të tillë.

Ngritja e vetëdijes nënkupton edhe inkurajimin për kontrolle të rregullta shëndetësore, informimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm, si dhe krijimin e një komuniteti ku gratë ndihen të dëgjuara dhe të mbështetura.

Vetëdijen e rrisim në tetor. Mbështetjen e ofrojmë gjatë gjithë vitit!

Në gjurmët e ngjalës me kajak – një tjetër aventurë verore në Drinin e Zi

Sot, Drini i Zi dhe Liqeni i Globoçicës ishin rruga jonë, ndërsa kajaku ishte mënyra ideale për t’i përjetuar nga një këndvështrim krejtësisht tjetër.

Me rastin e Ditës Botërore të Aftësive të të Rinjve, së bashku me Klubin Sportiv Solaris Strugë, organizuam turin “Rruga e ngjalës”, me të cilin synuam të tregojmë se Drini i Zi dhe Liqeni i Globoçicës nuk janë vetëm pjesë e një peizazhi të mrekullueshëm, por edhe hapësira që mund të na bashkojnë, të na frymëzojnë për përvoja të reja dhe të na ofrojnë një mënyrë tjetër për të zbuluar natyrën përreth Strugës.

Duke ndjekur rrugëtimin simbolik të ngjalës evropiane, pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë bazat e kajakimit nën udhëheqjen e instruktorëve profesionistë, të fitojnë aftësi praktike për lëvizje të sigurt në ujë dhe të njohin nga afër pasurinë natyrore të Drinit të Zi.

“Rruga e ngjalës” ishte gjithashtu një mundësi për të zbuluar vlerën e ekosistemeve lokale, për të mësuar më shumë rreth biodiversitetit që e bën këtë rajon unik dhe për të kujtuar se mbrojtja e natyrës fillon me njohjen dhe përvojën e drejtpërdrejtë të saj.

Kur natyrën dhe hapësirat publike i përdorim në mënyrë krijuese dhe të përgjegjshme, mundësitë janë vërtet të pafundme.

RAVEL: Unravel nga Herzel – Një këndvështrim bashkëkohor mbi muzikën e Ravelit në Strugë

Çfarë ndodh kur muzika e Maurice Ravelit shihet përmes këndvështrimit të një artisti të përkushtuar ndaj muzikës elektronike bashkëkohore?

Pikërisht një përvojë të tillë solli Aleksandar Grozdanovski – Herzel, i cili në Parkun e Poezisë në Strugë prezantoi “RAVEL: Unravel” – një performancë muzikore e veçantë që e solli veprën e një prej kompozitorëve më me ndikim të shekullit XX në një kontekst bashkëkohor.

Për më shumë se një shekull, muzika e Ravelit ka kapërcyer kufijtë tradicionalë të muzikës klasike. E njohur për saktësinë, gamën e pasur tingullore dhe idetë e guximshme, vepra e tij vazhdon të frymëzojë muzikantë nga zhanre të ndryshme në mbarë botën. Pikërisht këto veçori shërbyen si pikënisje për qasjen e re të Herzel ndaj muzikës së Ravelit.

“RAVEL: Unravel” nuk ishte as koncert klasik, as set elektronik. Duke ndërthurur kompozimin e Ravelit me produksionin elektronik bashkëkohor, Herzel krijoi një përvojë të re muzikore, duke i ofruar publikut një mënyrë tjetër për ta dëgjuar dhe përjetuar muzikën e Ravelit.

Veprimtaria u organizua në bashkëpunim me Drim Short Film Festival dhe u mbështet nga Instituti Francez në Shkup, Agence Consulaire de France në Manastir dhe Konsullja e Nderit Kaliopa Stilinoviq, si dhe Alliance Française de Bitola.

Performanca është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’ua afruar trashëgiminë kulturore franceze audiencave të reja përmes formave bashkëkohore artistike – duke i dhënë muzikës së krijuar më shumë se një shekull më parë mundësinë të tingëllojë sërish në një mënyrë të freskët dhe të papritur.

Magjia e Drinit të Zi: Koncerti Lundrues bashkoi muzikën dhe komunitetin

Drini i Zi në Strugë u shndërrua në skenë për një përjetim ndryshe muzikor. Në kuadër të iniciativës „Koncerti Lundrues – Në Drin“, muzikantë lokalë nga komunitete të ndryshme etnike mbajtën një koncert 40-minutësh në mjete lundruese, duke e kthyer lumin në një hapësirë unike për një ngjarje kulturore.

Iniciativa, ideuar nga Kosta Kostoski, synon të krijojë një platformë të re për promovimin e muzikantëve lokalë, duke nxitur bashkëpunimin krijues, lidhjen ndërkulturore dhe një mënyrë ndryshe të përjetimit të hapësirës publike. Koncerti u zhvillua nga perëndimi i diellit deri në orët e mbrëmjes, duke krijuar një atmosferë të veçantë që tërhoqi një numër të madh vizitorësh përgjatë brigjeve të Drinit të Zi.
Në koncert performuan Kosta Kostoski, Andrej Niçeski, Artan Zhuta, Bojan Krstinovski, Almir Bajramoski, David Popovski, Aleksandra, Menda Shej, Vladimir Mojsovski dhe Tomislav Nestoroski.

Si mbështetëse e iniciativave lokale që lidhin kulturën, komunitetin dhe hapësirën publike, Europe House Struga ishte organizatore e këtij eventi, i cili ofroi një mënyrë të re për ta përjetuar muzikën dhe njëkohësisht pasuroi ofertën kulturore verore të qytetit.

Në realizimin e koncertit rol të rëndësishëm pati Klubi Sportiv Solaris, i cili siguroi të gjithë logjistikën në ujë, ndërsa mbështetja e Komunës së Strugës dhe AD ESM – Dega HEC „Drini i Zi“ bëri të mundur që lumi të shndërrohej në skenë për një përvojë autentike muzikore.

Koncerti Lundrues në Drin është një shembull se si trashëgimia natyrore, krijimtaria lokale dhe bashkëpunimi i ndërsjellë mund të krijojnë një ngjarje kulturore që njëkohësisht promovon skenën muzikore lokale, pasuron përvojën turistike në Strugë dhe e afirmon lumin Drini i Zi si një hapësirë për përmbajtje bashkëkohore kulturore.

Subscribe To our newsletter!