vetëdije për kancerin e gjirit Archives - Europe House

Tetori Rozë në Europe House Strugë: Rrëfime personale, mbështetje dhe vetëdije për kancerin e gjirit

Tetori i kushtohet ngritjes së vetëdijes për kancerin e gjirit, si dhe rëndësisë së zbulimit të hershëm dhe parandalimit. Por, tetori na ofron edhe mundësinë të flasim për tema që nuk diskutohen mjaftueshëm shpesh – frikën, pasigurinë, përvojat e trajtimit dhe mbështetjen për të cilën kanë nevojë gratë dhe familjet e tyre.

Pikërisht një bisedë e tillë e hapur dhe e sinqertë u zhvillua në Europe House Struga, në kuadër të aktivitetit “Tetori Rozë”, të organizuar në bashkëpunim me Komunën e Strugës dhe Kryqin e Kuq – Strugë.

Përmes rrëfimeve personale të disa grave të guximshme, të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë për përvojat e ndryshme me sëmundjen dhe sfidat që ajo sjell. Monika Matoska, e cila prej pesë vitesh është #cancerfree, ndau historinë e saj personale – nga përballja me diagnozën dhe procesi i trajtimit, deri te jeta pas tejkalimit të sëmundjes.

Dëgjuam edhe rrëfime personale për humbjen e një personi të dashur, të cilat hapën hapësirë për të folur edhe për dhimbjen dhe pikëllimin që kjo betejë sjell për anëtarët e familjes.

Me psikoterapisten Arta Poshka Qoku biseduam për sfidat psikologjike me të cilat përballen pacientet dhe familjet e tyre. Në fokus ishin frika dhe pasiguria, por edhe rëndësia e mbështetjes psikologjike gjatë trajtimit dhe rikuperimit.

Aktiviteti u pasurua edhe me një ekspozitë tematike nga Flora Shazimani dhe Hristijan Milošeski, të cilët përmes veprave të tyre sollën interpretimin e tyre artistik të sfidave dhe qëndrueshmërisë së grave që janë përballur me kancerin e gjirit.

Biseda ishte e sinqertë dhe emocionale, por mbi të gjitha, një kujtesë e rëndësishme se askush nuk duhet të përballet i vetëm me një përvojë të tillë.

Ngritja e vetëdijes nënkupton edhe inkurajimin për kontrolle të rregullta shëndetësore, informimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm, si dhe krijimin e një komuniteti ku gratë ndihen të dëgjuara dhe të mbështetura.

Vetëdijen e rrisim në tetor. Mbështetjen e ofrojmë gjatë gjithë vitit!

Subscribe To our newsletter!