Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, u bashkuam në Makedonska Kamenicë, ku Europe House Veles dhe Europe House Strumica mbështetën Karvanin e Mini-basketbollit – një projekt kushtuar basketbollistëve më të vegjël, i organizuar në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit dhe partnerët lokalë.
Fusha e basketbollit në Shkollën Fillore Komunale “Shën Kirili dhe Metodi” u shndërrua në një hapësirë të mbushur me energji pozitive dhe frymë ekipore, ku u takuan ekipe të reja të basketbollit nga mbarë vendi.
Përveç ndeshjeve emocionuese, përgatitëm edhe një kënd të veçantë të Europe House, ku pjesëmarrësit më të vegjël patën mundësinë të vënë në provë aftësitë e tyre përmes sfidave të vogla sportive, gjuajtjeve të lira dhe aktiviteteve të tjera argëtuese.
Por, kësaj radhe luajtëm edhe për një qëllim më të madh – të ndajmë gëzimin edhe me ata që kanë më shumë nevojë për të. Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq – Dellçevë, organizuam një iniciativë humanitare, përmes së cilës i ftuam fëmijët të dhuronin vullnetarisht lodra të ruajtura mirë. Secila lodër u paketua si dhuratë dhe u shoqërua me një mesazh personal nga fëmija që e dhuronte. Këto dhurata të vogla më pas iu dhuruan fëmijëve nga kategoritë e cenueshme. Në këtë mënyrë, pjesëmarrësit më të vegjël treguan se basketbolli nuk është vetëm lojë dhe garë, por edhe një hapësirë ku zhvillohen empatia dhe ndjenja e bashkësisë.
Përmes kësaj iniciative, synuam të nxisim te sportistët e rinj solidaritetin, kujdesin dhe mbështetjen e ndërsjellë. Sepse çdo fëmijë meriton një fëmijëri të mbushur me lojë, gëzim, miqësi dhe mundësi. Dhe ndonjëherë, mënyra më e bukur për ta ndarë atë gëzim është të dhurojmë një pjesë të gëzimit tonë.
































































