Më shumë se 3.000 fidane u mbollën në zonën e djegur pranë liqenit “Mlladost” në Veles, si një mesazh i fuqishëm se Dita e Europës shënohet edhe përmes kujdesit konkret për natyrën, komunitetin dhe të ardhmen. Në aksionin e përbashkët “Europa jonë, rritemi së bashku” morën pjesë nxënës, studentë dhe vullnetarë, së bashku me diplomatë nga Bashkimi Europian, Komuna e Velesit, organizata joqeveritare, partnerë dhe anëtarë të komunitetit lokal.
Aksioni u mbajt dje, në kuadër të shënimit të Ditës së Europës, me qëllim ripërtëritjen e brezit pyjor të shkatërruar pranë liqenit “Mlladost”. Përmes mbjelljes së përbashkët, pjesëmarrësit dhanë kontribut të drejtpërdrejtë në ripërtëritjen e hapësirës dhe dërguan mesazh për solidaritet, përgjegjësi dhe kujdes të përbashkët për mjedisin jetësor.
Angazhimi i të rinjve në këtë iniciativë ishte me rëndësi të veçantë, pasi tregoi gatishmërinë e tyre për t’u përfshirë aktivisht në mbrojtjen e natyrës dhe në krijimin e një të ardhmeje më të gjelbër. Aksioni nxiti bashkëpunimin mes institucioneve, të rinjve, organizatave qytetare dhe komunitetit lokal, duke e kthyer shënimin e Ditës së Europës në një aktivitet të dukshëm dhe të dobishëm në terren.
Aksioni u realizua me mbështetje profesionale në terren nga NP Pyjet Kombëtare, dega Veles, ku pjesëmarrësit morën udhëzime për mbjelljen e duhur, llojet e fidanëve dhe rëndësinë e pyllëzimit për ripërtëritjen dhe mbrojtjen e ekosistemit lokal.
Ngjarjen e hapi Martin Shroder, zëvendësshef i sektorit politik në Delegacionin e Bashkimit Europian, në prani të Vilma Dambrauskiene, ambasadore e Lituanisë, ambasadores së Sllovakisë, Iveta Hrikova, përfaqësuesve të Ambasadës së Greqisë dhe kryetarit të Komunës së Velesit, Marko Kolev.
Aksioni ishte pjesë e programit për shënimin e Ditës së Europës, përmes të cilit Delegacioni i Bashkimit Europian, vendet anëtare të BE-së dhe rrjeti i Europe House e sjellin frymën e “Europa jonë” në më shumë qytete në mbarë vendin.
Me këtë iniciativë, Velesi dërgoi mesazhin se kujdesi për natyrën fillon me veprim të përbashkët. Fidanët e mbjellë janë një gjurmë që do të mbetet për gjeneratat e ardhshme dhe përfaqësojnë një investim afatgjatë në një mjedis më të pastër, një komunitet lokal më të fortë dhe një të ardhme më të gjelbër.














