Si shndërrohet një ide lokale në një produkt që arrin te një numër i madh konsumatorësh? Çfarë nevojitet për të nisur një biznes dhe si mund të kontribuojë sipërmarrësia në krijimin e një ekonomie më të qëndrueshme? Këto ishin disa nga pyetjet që trajtuam në kuadër të Javës Evropiane të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (European SME Week).
Përmes takimeve me kompani lokale, shembujve praktikë dhe prezantimeve të organizuara nga qendrat Europe House në Veles, Manastir dhe Tetovë, të rinjtë patën mundësinë të njihen më nga afër me bizneset e vogla, të shkëmbejnë ide dhe të mendojnë për nismat e tyre sipërmarrëse.
Veles: Nga një delikatesë familjare deri te tregu
Nga ullishtet në jug të vendit deri në tryezat e dashamirësve të vërtetë të ullinjve. Si duket rrugëtimi i një produkti lokal – nga zhvillimi i idesë, përmes prodhimit, e deri te konsumatori përfundimtar? Në Europe House Veles, nxënësit e gjimnazit “Koço Racin” u njohën me historinë e Gunollo Foods, një prodhues lokal i ullinjve premium, dhe mësuan më shumë për mundësitë dhe sfidat me të cilat përballen ndërmarrjet e vogla. Siç shprehen nga Gunollo, çdo kavanoz është rezultat i përkushtimit shumëvjeçar, punës së palodhshme dhe respektit për tokën që ka qenë pjesë e familjes së tyre brez pas brezi.
Pas prezantimit të këtij biznesi autentik familjar, nxënësit prezantuan idetë e tyre për produkte inovative me bazë ullinjtë, në kuadër të garës “Pitch & Win”. Propozimet e tyre ishin guximtare dhe kreative, duke dëshmuar se fryma sipërmarrëse mund të nisë me vetëm një ide të mirë. Kush e di – ndoshta njëra prej këtyre ideve një ditë do të përfundojë edhe në tryezën tuaj.
Manastir: Si shndërrohet pasioni në një birrë artizanale me karakter?
Nga përzgjedhja e përbërësve dhe organizimi i prodhimit, deri te dizajnimi i etiketës, paketimi dhe nxjerrja e produktit në treg – pas çdo produkti qëndron një sërë vendimesh dhe procesesh. Ekipi i Europe House Manastir u mundësoi një grupi të rinjsh entuziastë të hedhin një vështrim nga afër në prapaskenat e një biznesi të vogël prodhues – birrarisë lokale artizanale BAK.
Nga lindja e idesë deri te produkti i gatshëm, të rinjtë u njohën me procesin e prodhimit të birrës BAK. Si shndërrohen kokrrat e elbit në musht, kur shtohet humuli, sa kohë zgjasin fermentimi dhe karbonizimi dhe cili është sekreti i një birre të mirë? Përgjigjet i morën nga afër, gjatë vizitës në hapësirat e prodhimit të birrarisë. Përmes shembujve praktikë dhe bisedës, ata mësuan edhe për sfidat me të cilat përballet një biznes i vogël gjatë zhvillimit dhe pozicionimit të tij në treg.
Të rinjtë pjesëmarrës patën mundësinë të ndajnë edhe idetë e tyre të biznesit, si dhe të dëgjojnë këshilla të sinqerta që do t’u ndihmojnë në rrugën drejt realizimit të tyre.
Tetovë: Kur ekonomia qarkore hap mundësi të reja biznesi
A mund të shndërrohen mbetjet ndërtimore në një burim të vlefshëm? Në takimin me studentët e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), organizuar nga Europe House Tetovë, kompania lokale Besa Shop prezantoi shembullin e saj të sipërmarrjes së gjelbër dhe praktikave të qëndrueshme të biznesit.
Në fokus ishte investimi i kompanisë në një linjë për riciklimin e betonit dhe mbetjeve të ngurta ndërtimore, e cila mundëson ripërdorimin e materialeve dhe njëkohësisht zvogëlon sasinë e mbetjeve. Ky shembull frymëzues nxiti diskutimin mbi rëndësinë e ndërlidhjes së njohurive akademike me përvojën praktike në biznes, si dhe mbi mënyrën se si vendimet inovative të biznesit mund të krijojnë vlerë ekonomike dhe njëkohësisht të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit.
Krijimi i një klime të favorshme për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe nxitja e modeleve qarkore të biznesit janë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të një ekonomie më konkurruese dhe më të përgjegjshme. Sepse zhvillimi i qëndrueshëm fillon me ide të mira, qasje inovative dhe vendime të përgjegjshme afariste.





















































