NGA PARKU I QYTETIT NË SHKUP NË SHUMË QYTETE ANEMBANË VENDIT, BE FESTON “DITËN E EVROPËS 2026” - Europe House

5 May

BACK

NGA PARKU I QYTETIT NË SHKUP NË SHUMË QYTETE ANEMBANË VENDIT, BE FESTON “DITËN E EVROPËS 2026”

NGA PARKU I QYTETIT NË SHKUP NË SHUMË QYTETE ANEMBANË VENDIT, BE FESTON “DITËN E EVROPËS 2026”

Me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe rrjeti Europe House këtë vit organizojnë një program të larmishëm me aktivitete kulturore, rinore, edukative dhe mjedisore në disa qytete në të gjithë vendin.

Festimet nisin më 4 maj në Manastir me koncertin “Cinema Classics” të orkestrës FAMES, ku muzikantë të rinj do të interpretojnë muzikë filmike në kuadër të programit “Evropa Kreative”, ndërsa programi vazhdon më 7 maj në Ohër me një garë humanitare që bashkon të rinjtë rreth sportit dhe solidaritetit.

Festimi qendror i Ditës së Evropës do të mbahet më 9 maj në Parkun e Qytetit në Shkup, duke filluar nga ora 11:00 deri në ora 18:00. Gjatë ditës, parku do të shndërrohet në një hapësirë me zona për shije lokale, iniciativa të gjelbra, ide të qëndrueshme dhe lojëra në natyrë të organizuara nga ambasadat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, pasuar nga një program muzikor gjatë gjithë ditës në “Shkolka”, ku do të performojnë Eureka Dance Company, Dina Jashari, Zvada, Conquering Lion, Dafunk dhe Double G, si dhe DJ-të Emily Nas dhe Martina Peneva.

Më 9 dhe 10 maj do të zhvillohen aktivitete edhe në Koçan, ku nën moton “Color Kocani” një iniciativë rinore do të realizojë një mural në hapësirë publike. Përveç kësaj, nga 15 deri më 17 maj, qyteti do të mirëpresë edhe “Open Air Cinema”, një seri projeksionesh filmike që do ta afrojë artin e filmit më pranë të rinjve në Koçan.

Më 12 maj, në Liqenin Mlladost në Veles do të mbahet aksioni “Growing Together”, gjatë të cilit vullnetarë, studentë, qytetarë dhe ambasadorë do të mbjellin 2.500 fidane në një zonë të prekur nga zjarret.

Më 14 maj, Funk Shui do të performojnë një koncert në natyrë në Manastir, duke e shndërruar hapësirën përpara Europe House në një vend për muzikë, shoqërim dhe atmosferë festivali.

Më 16 maj do të organizohet një tur ndërkufitar me biçikleta rreth Liqenit të Ohrit, që lidh Strugën, Ohrin dhe Pogradecin në një udhëtim simbolik që bashkon natyrën, të rinjtë dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

Më 19 maj, Europe House Tetovë do të jetë nikoqire e panairit “Shijoje Evropën me një libër”, me pjesëmarrjen e shtëpive botuese, biseda me autorë maqedonas dhe shqiptarë, shkëmbim librash, program muzikor dhe përmbajtje për më të rinjtë.

Më 21 maj, në Shtip do të mbahet “Discover the Possibilities”, një ngjarje rinore që hap hapësirë për mundësi të reja, studime, mobilitet dhe inovacion.

Programi do të përfundojë më 23 maj në Gjevgjeli me “Youth Wave 2026”, një aktivitet njëditor që do të përfshijë forum për aftësi rinore, panair të ndërmarrësisë lokale, laborator startup-esh dhe një skenë kreative rinore.

Nga muzika dhe librat, te aksionet ekologjike, filmi dhe iniciativat rinore, programi i këtij viti e kthen Ditën e Evropës në një festë që do të përjetohet në të gjithë vendin. Të gjitha aktivitetet janë të hapura për publikun, ndërsa më shumë informacione për programin do të publikohen çdo ditë në rrjetet sociale të Europe House.

Subscribe To our newsletter!