Drini i Zi në Strugë u shndërrua në skenë për një përjetim ndryshe muzikor. Në kuadër të iniciativës „Koncerti Lundrues – Në Drin“, muzikantë lokalë nga komunitete të ndryshme etnike mbajtën një koncert 40-minutësh në mjete lundruese, duke e kthyer lumin në një hapësirë unike për një ngjarje kulturore.
Iniciativa, ideuar nga Kosta Kostoski, synon të krijojë një platformë të re për promovimin e muzikantëve lokalë, duke nxitur bashkëpunimin krijues, lidhjen ndërkulturore dhe një mënyrë ndryshe të përjetimit të hapësirës publike. Koncerti u zhvillua nga perëndimi i diellit deri në orët e mbrëmjes, duke krijuar një atmosferë të veçantë që tërhoqi një numër të madh vizitorësh përgjatë brigjeve të Drinit të Zi.
Në koncert performuan Kosta Kostoski, Andrej Niçeski, Artan Zhuta, Bojan Krstinovski, Almir Bajramoski, David Popovski, Aleksandra, Menda Shej, Vladimir Mojsovski dhe Tomislav Nestoroski.
Si mbështetëse e iniciativave lokale që lidhin kulturën, komunitetin dhe hapësirën publike, Europe House Struga ishte organizatore e këtij eventi, i cili ofroi një mënyrë të re për ta përjetuar muzikën dhe njëkohësisht pasuroi ofertën kulturore verore të qytetit.
Në realizimin e koncertit rol të rëndësishëm pati Klubi Sportiv Solaris, i cili siguroi të gjithë logjistikën në ujë, ndërsa mbështetja e Komunës së Strugës dhe AD ESM – Dega HEC „Drini i Zi“ bëri të mundur që lumi të shndërrohej në skenë për një përvojë autentike muzikore.
Koncerti Lundrues në Drin është një shembull se si trashëgimia natyrore, krijimtaria lokale dhe bashkëpunimi i ndërsjellë mund të krijojnë një ngjarje kulturore që njëkohësisht promovon skenën muzikore lokale, pasuron përvojën turistike në Strugë dhe e afirmon lumin Drini i Zi si një hapësirë për përmbajtje bashkëkohore kulturore.








