DITA E EVROPËS 2025 NË SHENJË TË SOLIDARITETIT EVROPIAN DHE MBËSHTETJES PËR KOÇANIN
Mbi 3.300 pjesëmarrës u bashkuan në shtatë qytete në shenjë solidariteti, duke grumbulluar pothuajse 1.5 milion denarë donacione në ngjarjet e organizuara gjatë muajit maj me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës. Këtë vit, shënimi i Ditës së Evropës iu dedikua mbështetjes për viktimat dhe të lënduarit nga tragjedia në Koçani, përmes një sërë aktivitetesh të organizuara nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe rrjeti Europe House. Në shenjë mbështetjeje, qytetarët morën pjesë në gara humanitare dhe në ankande me vepra nga artistë vendorë, duke shprehur humanitet dhe solidaritet si me familjet e të prekurve, ashtu edhe me tërë komunitetin në qytetin e Koçanit.
BE-ja, me përkushtim të madh, vazhdon të ofrojë mbështetje afatgjate psikosociale për të prekurit nga kjo fatkeqësi. Si pjesë e kësaj mbështetjeje, në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë, është paralajmëruar edhe një vizitë nga një delegacion i qytetit suedez Goteborg, i cili do të ndajë përvojat e veta për përballjen me traumën kolektive pas një tragjedie të ngjashme që ndodhi në këtë qytet në vitin 1998.
Këtë vit, Dita e Evropës u shënua me një mesazh të fuqishëm solidariteti. Përmes një sërë aktivitetesh në shenjë bashkimi, qytetarët treguan çka do të thotë të jesh një, kur njerëzimi është më i nevojshëm se kurrë. Nga artistët te vrapuesit, nga fëmijët te të moshuarit – të gjithë ishin të bashkuar për një qëllim të vetëm.
Mbështetja nga Bashkimi Evropian për Koçanin filloi menjëherë pas tragjedisë, me aktivizimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, përmes të cilit 115 persona të lënduar u dërguan për trajtim mjekësor në vendet anëtare të BE-së dhe në shtete partnere. Reagimi i shpejtë dhe i koordinuar edhe njëherë e vërtetoi solidaritetin e fuqishëm evropian. Për shumëkënd, kjo përgjigje e shpejtë ishte edhe jetike.
Gjatë recepcionit me rastin e Ditës së Evropës 2025, më 8 maj, në Muzeun e Artit Bashkëkohor – simbol i qëndresës dhe solidaritetit të Shkupit – në bashkëpunim me DLLUM, u organizua edhe një ekspozitë artistike, ku artistët vendorë dhuruan me bujari veprat e tyre, të cilat u vunë në shitje me një qëllim të vetëm – mbledhjen e fondeve për të prekurit nga tragjedia në Koçan.
Më 9 maj, në shtatë qytete të vendit u ndriçuan objekte të rëndësishme historike dhe kulturore me ngjyrë të kaltërt – si simbol i unitetit dhe solidaritetit mes popujve evropianë.
Garat humanitare, si ngjarja kryesore, u mbajtën më 25 maj, kur në shtatë qytete të vendit (Shkup, Manastir, Veles, Tetovë, Strumicë, Strugë dhe Kriva Pallankë) u vrapua për Koçanin. Sipas të dhënave zyrtare, në garat “Të gjithë për Koçanin. Vrapojmë së bashku.” ishin të regjistruar mbi 3.300 pjesëmarrës. Edhe pse kushtet atmosferike nuk ishin të favorshme, kjo nuk i ndaloi qytetarët të vrapojnë edhe në shi, të bashkuar me një qëllim – të ndihmojnë Koçanin.
Pjesëmarrës në garat ishin edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nën moton #TeamEurope, të cilët duke dhënë shembull personal, vrapuan bashkë me qytetarët në të shtatë qytetet.
Shuma e përgjithshme e mbledhur nga donacionet përmes garave humanitare dhe ankandit artistik kap shifrën prej gati 1.5 milion denarësh. Fondet e mbledhura janë transferuar në llogarinë e Kryqit të Kuq, e cila është e dedikuar për mbështetjen e të prekurve nga tragjedia në Koçan.
Delegacioni i Bashkimit Evropian gjithashtu ka siguruar mbështetje afatgjate për qytetarët e Koçanit, me qëllim që përmes Qendrës për Veprim Psikosocial dhe në Krizë, të lehtësohet përballja me traumën e shkaktuar nga fatkeqësia.
Gjithashtu, vendet anëtare të BE-së, përmes mekanizmave të tyre kombëtarë, individualisht ofrojnë forma të ndryshme mbështetjeje. Si pjesë e kësaj, Ambasada e Suedisë po organizon një vizitë të një delegacioni nga qyteti suedez Goteborg, ku në vitin 1998, gjatë një zjarri të ngjashëm në një diskotekë, humbën jetën mbi 60 të rinj. Qëllimi i kësaj vizite është ndarja e përvojave dhe ofrimi i mbështetjes për komunitetin në Koçan në përballjen me traumën kolektive.
Në linkun më poshtë mund të shihni videon me atmosferën nga të gjitha shtatë garat, e xhiruar në pjesë të ndryshme të vendit – një dëshmi për një ditë të mbushur me humanizëm, dashuri dhe solidaritet.