KAFE ME AMBASADORË – DIALOG PËR IDENTITETIN, KULTURËN DHE EUROPËN - Europe House

28 Apr

BACK

KAFE ME AMBASADORË – DIALOG PËR IDENTITETIN, KULTURËN DHE EUROPËN

Më 28 prill 2026, në Europe House Manastir, u mbajt ngjarja “Kafe me Ambasadorë”. Ngjarja është pjesë e një serie debatesh të moderuara që organizohen në rrjetin e Europe House, me qëllim nxitjen e dialogut të hapur dhe përmbajtësor ndërmjet ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe qytetarëve.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe të hapur, debati bashkoi përfaqësuesit e Austrisë dhe Polonisë në një diskutim interaktiv me temë “Të drejtat e njeriut, kultura, diversiteti dhe identiteti.” Në takim morën pjesë ambasadori i Austrisë, Martin Pammer, dhe zëvendësshefja e misionit të Republikës së Polonisë, Anna Kasprzak, të cilët përmes përvojave dhe perspektivave të tyre dhanë kontribut të rëndësishëm për kuptimin e këtyre çështjeve kyçe shoqërore dhe me sinqeritet e hapurësi ia afruan publikut kompleksitetin e tyre.

Në pjesën kushtuar të drejtave të njeriut, u theksua se si Austria ashtu edhe Polonia kanë përvoja historike komplekse me komunitete të ndryshme pakicash, por anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka ndikuar dukshëm në rritjen e dukshmërisë së tyre. Austria u paraqit si shembull i një qasjeje të institucionalizuar, me pakica kombëtare të njohura me kushtetutë, çka mundëson mbrojtje konkrete dhe të përditshme të të drejtave, gjuhës dhe identitetit të tyre kulturor. Nga ana tjetër, Polonia ka kaluar përmes një procesi të rishpërfaqjes dhe pranimit të identiteteve pakicë, ndërsa korniza evropiane ka kontribuar në përfshirje më të madhe.

Diskutimi trajtoi edhe çështjet e migrimit dhe format e reja të diversitetit, ndërsa në segmentin për identitetin u theksua se rrugët historike të dy vendeve kanë ndikuar fuqishëm në mënyrën se si qytetarët e përjetojnë identitetin e tyre kombëtar dhe evropian. U nënvizua se te gjeneratat e reja po haset gjithnjë e më shpesh ndjenja e përkatësisë së dyfishtë, kombëtare dhe evropiane, e cila nuk përbën kundërthënie, por një përparësi në botën bashkëkohore.

Kultura dhe shkëmbimi kulturor u njohën si shtytës kyç të ndërlidhjes evropiane. Të dy vendet e kanë shfrytëzuar traditën e tyre të pasur kulturore dhe skenën bashkëkohore artistike për të ndërtuar një prani të fortë ndërkombëtare, ndërsa anëtarësimi në BE ka mundësuar mobilitet, dukshmëri dhe bashkëpunim më të madh. Austria ka balancuar me sukses ruajtjen e kulturës së saj me mbështetjen për shprehje kulturore bashkëkohore dhe alternative, ndërsa Polonia, përmes investimeve në diplomaci kulturore, film, letërsi dhe dizajn, e ka zgjeruar ndjeshëm ndikimin e saj global.

Në diskutim u hap edhe çështja e ikjes së trurit dhe erozionit kulturor. Pjesëmarrësit theksuan se liria e lëvizjes në BE, megjithëse sjell përfitime të shumta, ka edhe sfida, veçanërisht për vendet më të vogla ose ekonomikisht më të dobëta. Sa i përket vlerave evropiane, u nënvizua se ato nuk kufizohen vetëm në institucione dhe politika, por reflektohen edhe në jetën e përditshme, në mënyrën e marrjes së vendimeve, në raportin me të tjerët dhe në funksionimin e shoqërisë në tërësi.

Ngjarja u përmbyll me mesazhe të drejtuara drejt së ardhmes evropiane të vendit tonë. Folësit përcollën mesazhe të sinqerta dhe inkurajuese, duke theksuar se procesi i integrimit evropian sjell përfitime reale dhe të dukshme për qytetarët, veçanërisht në fushat e identitetit, diversitetit, kulturës dhe mobilitetit, dhe se pikërisht këto ndryshime janë më domethënëset për jetën e përditshme.

Kjo iniciativë bashkon përvoja të ndryshme kombëtare, ku përparimi mbështetet në bashkëpunim, stabilitet dhe shkëmbim dijesh. Ngjarje të tilla krijojnë hapësirë për ndarjen e përvojave praktike nga vendet anëtare të BE-së, përvojën e tyre në Union, si dhe bashkëpunimin dhe mbështetjen që ofrojnë në vendin tonë.

 

Subscribe To our newsletter!