Gjatë muajve maj dhe qershor 2026, rrjeti Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Europian shënuan Ditën e Europës me një program të pasur aktivitetesh kulturore, edukative, mjedisore dhe rinore në disa qytete të vendit..
Shënimi qendror „“Shijoje Europën në Parkun e Qytetit” u mbajt më 9 maj, ku vizitorët shijuan përmbajtje të ndryshme – nga panairi i eko-bizneseve, tregu lokal, ushqimi vendor dhe aktivitetet e shteteve anëtare të BE-së, deri te një program muzikor gjatë gjithë ditës. Aktivitetet filluan në Manastir me koncertin e FAME’S Orchestra dhe vazhduan me performancën e Funk Shui nën moton “Shijoje Europën me muzikë”.
Në Veles, përmes aksionit “Rritemi së bashku”, u mbollën më shumë se 3.000 fidanë në zonën përreth Liqenit Mlladost, ndërsa në Tetovë aktiviteti “Shijoje Europën me libër” bashkoi dashamirët e letërsisë përmes panairit të librit, bisedave me autorë dhe aktiviteteve për më të vegjlit. Në Shtip, në organizim të Europe House Strumicë, të rinjtë nga rajoni patën mundësinë të eksploronin mundësitë arsimore dhe profesionale që ofron Bashkimi Europian, ndërsa në Strugë u organizua turi ndërkufitar me biçikleta “Shijoje Europën në lëvizje” rreth Liqenit të Ohrit, i cili lidhi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë përmes sportit dhe bashkëpunimit.
Programi për Ditën e Europës 2026 përfshiu më shumë se 6.200 pjesëmarrës në të gjithë vendin dhe u mbështet nga partnerë të shumtë, ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe komunitetet lokale. Aktivitetet gjeneruan interes të konsiderueshëm edhe në platformat digjitale, duke arritur më shumë se 3,4 milionë shikime në rrjetet sociale dhe mbi 25.000 ndërveprime. Festimet morën gjithashtu mbulim të gjerë mediatik, me më shumë se 50 publikime në portale online, 11 kronika televizive dhe 46 transmetime radiofonike, duke rritur më tej dukshmërinë e vlerave dhe iniciativave evropiane në të gjithë vendin.
Përmes muzikës, librave, ekologjisë, pjesëmarrjes rinore dhe iniciativave lokale, Dita e Europës 2026 dëshmoi edhe një herë se vlerat europiane ndërtohen përmes bashkëpunimit, përfshirjes aktive dhe angazhimit të përbashkët në komunitetet lokale.








